Burrel-Bulqizë, "trafik" qensh mes dy qyteteve
BURREL/ HASAN PASHA
Vitet e fundit kemi dëgjuar për gjithfarëlloj trafiqesh, por tashmë dhe për "trafik qensh". Këto ditë, Bashkitë Burrel e Bulqizë kanë publikuar një lloj trafiku të veçantë, atë të qenve rrugaçë nga njëra njësi vendore në tjetrën. Kryetarët e bashkive respektive nuk janë prononcuar në lidhje me këtë akuzë të ndërsjellë, por janë specialistë të ndërmarrjeve të shërbimeve bashkiake dhe sidomos ato të pastrimit të qyteteve që thonë se, "njerëz të caktuar grumbullojnë qentë endacakë dhe i transportojnë me mjete të ndryshme transporti, kryesisht natën dhe i hedhin në qytetet Burrel e Bulqizë". Ditët e fundit në qytetin e Burrelit ka pasur një mbipopullim të rrugëve, shesheve e trotuareve me qen rrugaçë. Qytetarë të shumtë kanë trokitur në zyrat e bashkisë dhe kanë kërkuar eliminimin ose izolimin e tyre. Ky mbipopullim i mjediseve publike nga qentë rrugaçë justifikohet nga vendorët e Burrelit me akuzën se ata janë sjellë ditët e fundit nga bashkia e Bulqizës. Për të argumentuar këtë akuzë, ata thonë se punonjës të ndërmarrjes së pastrimit në këtë qytet, të ngarkuar nga bashkia për të larguar qentë rrugaçë nga territori i këtij institucioni, i grumbullojnë ata me mjetet e tyre dhe i sjellin në qytetin e Burrelit. Tufa qensh që shëtisin kudo, madje dhe në oborrin e bashkisë, jo vetëm shëmtojnë keq qytetin verilindor, por ato janë burim sëmundjesh të rrezikshme siç është ajo e tërbimit dhe leshmanjozës. Mirëpo zyrtarët e Bulqizës nuk e pranojnë se kanë "organizuar trafikun e qenve rrugaçë nga ky qytet për në atë të Burrelit". Qytetarë dhe drejtues të firmës së pastrimit sa herë shohin më shumë qen në qytet argumentojnë: "Këta qen na i kanë sjellë nga Burreli". Fakte konkrete asnjëra bashki nuk ka servirur, por njësitë fqinje vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për këtë "trafik" që nuk është i ndaluar me ligj. Mësohet se drejtoritë e higjienës, grupe qytetarësh dhe drejtues të OJF-ve në këto qytete u kanë kërkuar autoriteteve vendore të marrin masa për eliminimin e këtyre kafshëve, bartëse të disa sëmundjeve të rënda. Rreziku shtohet për faktin se fëmijët e vegjël janë të prirur të luajnë me këto kafshë, ndërkohë ato vazhdojnë të ushqehen në kazanët dhe grumbujt e plehrave. I njëjti fenomen ekziston thuajse në të gjitha qytetet, sado të mëdha apo të vogla qofshin.