E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: Viktimat e trafikut, nga zonat urbane dhe të varfra

Një raport i publikuar nga
USAID hedh poshtë
supozimet për një sërë
shifrash të publikuara mbi viktimat
e trafikut. Në bashkëpunim
me Ministrinë e Brendshme, organizmi
amerikan ka bërë një
analizë të thellë të këtij fenomeni
në Shqipëri, duke nxjerrë në pah
shkaqet dhe mënyrat e trafikimit.
Në një konferencë për shtyp, ku
mori pjesë ambasadori i Shteteve
të Bashkuara, Z. John L. Withers II
dhe zëvendësministrja e
Brendshme, Iva Zajmi, programi
antitrafik i Ambasadës së SHBA
dhe USAID publikuan të rejat e
raportit të tij të katërt vjetor mbi
situatën e përpjekjeve në Shqipëri
për luftën kundër trafikimit të qenieve
njerëzore. Ky raport ofron
një përmbledhje dhe një analizë
të programeve dhe politikave antitrafik
në Shqipëri, të lidhura në
veçanti me shërbimet sociale dhe
edukimin. Raporti i këtij viti ofron
të dhëna të nxjerra veçanërisht
nga përvoja e një rrjeti mbarëkombëtar
të përbërë nga qeveria dhe
organizatat e shoqërisë civile që
bashkëpunojnë me programin e
USAID-it. Në këtë konferencë shtypi,
ambasadori Withers nënvizoi
rëndësinë e përpjekjeve, si të
qeverisë, ashtu dhe të shoqërisë
civile, në drejtim të Antitrafikut.
"Duke bashkuar të dhënat dhe
duke krahasuar analizat e përfundimet,
si raportet e shoqërisë
civile, ashtu dhe ato të qeverisë,
përfitohet një legjitimitet më i
madh", tha ai. Zëvendësministrja
Zajmi falënderoi ambasadorin
për përkrahjen e vlefshme dhe të
vazhdueshme që Ambasada e Shteteve
të Bashkuara ka dhënë për
sa u përket përpjekjeve antitrafik
të qeverisë shqiptare. Sipas
Zajmit, ky raport prezanton "një
analizë shumë të mirë të tendencave
të trafikut në qeniet njerëzore,
si dhe një prezantim të mirë
të profilit të viktimës dhe të punës
së bërë nga strukturat qeveritare
dhe joqeveritare në vijim të përmbushjes
së detyrimeve dhe
përgjegjësive përkatëse". Raporti
përmban një analizë të dhënash
të nxjerra nga rastet e viktimave të
trafikuara, të mbledhura nga "Koalicioni
Kombëtar i Strehëzave
Antitrafik", që bien në kundërshtim
me një numër supozimesh
gjerësisht të besuara mbi shkaqet
dhe cenueshmërinë e trafikut të
qenieve njerëzore. Sipas këtij
raporti, shumica e viktimave të
trafikuara rekrutoheshin në komunitetet
e tyre të origjinës, nga
dikush që ato e njihnin personalisht.
Gjithashtu, në raport citohet
se pjesa dërmuese e viktimave të
trafikuara rekrutoheshin nga ato
zona të vendit që janë më të urbanizuara
dhe nga ato qarqe që
janë në gjendje më të vështirë
ekonomike. "Më shumë se gjysma
e viktimave të trafikuara, të asistuara
në strehëza, e kanë përfunduar
edukimin e detyrueshëm",
thuhet në raport. Më tej, duke
publikuar të dhëna, raportohet se
mbi 90% e viktimave të trafikuara,
të asistuara në strehëza, vijnë nga
komuniteti shqiptar dhe vetëm
9% vijnë nga komunitetet e minoriteteve
rome dhe egjiptianeballkanase.
Programi KVKTNj i
USAID-it synon të luftojë
trafikimin e grave dhe të fëmijëve,
duke e shtrirë ndikimin e tij në shoqërinë
shqiptare nëpërmjet aktiviteteve
që synojnë përfshirje në
nivel të komuniteteve lokale, në
nivel rrethi dhe në nivel kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›