E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti i radhës në rrugën e Lezhës, katër viktima

Dy aksidente të rënda, me pasojë vdekjen e pesë personave, kanë ndodhur dje në Lezhë dhe në Shkodër. Pak pas mesditës, një automjet "BMW" është përplasur me një fugon në kryqëzimin e Shënkollit, në aksin rrugor Lezhë-Milot. Të dyja mjetet janë rrotulluar në shtratin e superstradës dhe me pas kanë përfunduar në fundin e një kanali. Si pasojë e përplasjes së fortë, mësohet se kanë humbur jetën katër persona, dy prej të cilëve janë shtetas shqiptarë, ndërsa dy të tjerët italianë. Policia e Lezhës bën të ditur se tre prej të aksidentuarve kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa njëri prej tyre ka ndërruar jetë pasi ka mbërritur në spitalin e Lezhës. Mësohet se viktimat e këtij aksidenti të rëndë janë Antonio Kacato dhe Lipazio Magno, të dy 40-vjeçarë nga Leçe e Italisë dhe shqiptarët Edmir Vorfa nga Shkodra dhe 60-vjeçari Enver Hallvadolli. Ndërkohë që mësohet se Sokol Memana është plagosur rëndë dhe është duke u trajtuar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka kërkuar ndihmën e një vinçi për të nxjerrë mjetet nga uji, ku mendohej se mund të kishte viktima të tjera. Mendohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit dhe shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonin të dyja mjetet. Ndërkohë, në Shkodër, një 33-vjeçar ka mbetur viktimë e një aksidenti rrugor. Mësohet se viktima Alfred Lazri, nga fshati Jushit i Komunës së Bushatit, duke udhëtuar me një motoçikletë në aksin rrugor Shkodër-Bushat, ka dalë nga rruga, nga humbja e kontrollit të mjetit. Sipas policisë së Qarkut Shkodër, viktima, i cili udhëtonte i vetëm me motorin e tij tip "Yamaha", ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjes në kokë. Me gjithë ndihmën që është dhënë nga kalimtarët e rastit, nuk është bërë e mundur që i riu të shpëtojë, pasi goditja ka qenë fatale dhe ai ka ndërruar jetë pa mundur të mbërrijë në spital.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›