E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri xheloz vret gruan me gur

Krimi në familje trondit zonën e Korçës. Një grua është masakruar me gurë nga babai i fëmijëve të saj. Ngjarja e rëndë, që ka pasur si origjinë motivet e xhelozisë, ka ndodhur dje në orët e pasdites në Rrethin e Kolonjës. Mësohet se Dëfrim Tale, një 45-vjeçar nga fshati Taç i Kolonjës, ka qëlluar me gurë në kokë të shoqen, Luljeta Tale, duke i çarë kafkën në dy pjesë. Pas krimit, burri e ka lënë bashkëshorten të përgjakur në një shkurre dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Burri vrasës është mundur të kapet nga policia vetëm pak minuta pas krimit monstruoz. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, kur Dëfrim Tale ka përfituar nga një moment kur ka qenë vetëm së bashku me bashkëshorten në një nga rrugët dytësore që lidh dy fshatrat e thellë, Vreshtas dhe Podgorie.

Skena e krimit është bërë pikërisht rruga mes dy fshatrave, kur në mungesë të dëshmitarëve okularë, Tale ka filluar të qëllojë të shoqen pas një debati për motive xhelozie. Pasi e ka gjuajtur me shqelma e grushte, ai ka rrëmbyer një gur të madh dhe ka gjuajtur në kokë bashkëshorten, duke i çarë kafkën e duke e lënë të vdekur në vend.

Mësohet se çifti ka pasur herë pas here kontradikta për shkak të xhelozisë së Dëfrimit. Ai e akuzonte të shoqen se e tradhtonte dhe debatet në çift kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës.

Kalimtarë të rastit e kanë gjetur 45-vjeçaren pa ndjenja në afërsi të një shkurreje, në anë të rrugës dhe kanë njoftuar policinë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat policore, por ndërsa viktima po transportohej drejt spitalit të qytetit të Korçës, ajo nuk ka shfaqur shenja jete dhe është vendosur të çohet direkt në morg, pa kaluar nga reanimacioni.

Sipas të dhënave të policisë, gruaja nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të dëmtimeve të rënda në trup dhe një plage të madhe që kishte në kokë.

Menjëherë ekspertët kriminalë dhe uniformat blu kanë bërë rrethimin e zonës dhe janë vënë në kërkim të bashkëshortit të viktimës. Policia ka mundur të vërë në pranga vetëm pas 15 minutash autorin Dëfrim Tale, i cili është kapur në dalje të fshatit.

Burri tentonte të largohej nga vendi i krimit, kur është prangosur nga uniformat blu. Burimet e policisë lokale thanë se dy bashkëshortët kishin shkuar në fshatin Podgorie për një vizitë te disa të afërm. Rrugës mësohet të jenë zënë për motive xhelozie, ndërkohë që autori e akuzonte bashkëshorten e tij për tradhti prej kohësh.

Sipas të dhënave të policisë, dyshohet se Tale e ka përgatitur më parë kryerjen e këtij krimi dhe është larguar qëllimisht me nënën e dy fëmijëve të tij nga zona e Kolonjës, për të qenë larg syve që e njihnin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›