E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Konomit, me porosi nga Spanja

Pistë e re hetimesh për ekzekutimin mafioz të 42-vjeçarit. Katër emigrantë nën përgjim

Fakte të reja kanë nxjerrë në dritë hetimet për vrasjen mafioze të Franc Konomit, për të cilat edhe policia nuk ishte vënë në dijeni më parë. Bëhet fjalë për një grup kriminal shqiptar që vepron në Spanjë, të cilët mendohet se kanë porositur vrasjen e 42-vjeçarit, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Personat e dyshuar janë pikërisht katër emigrantë që kanë ardhur direkt nga ky shtet i Perëndimit, të cilët janë vënë nën përgjim nga policia. Veprimtaria e këtij grupi kriminal mendohet se ishte grabitja e vilave të të pasurve dhe trafiku i heroinës nga vendet e Lindjes.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Tiranës, e cila në bashkëpunim me Hetimin e Krimeve të kryeqytetit po heton vrasjen mafioze të Franc Konomit, të dhënat e mbledhura i kanë çuar në një tjetër drejtim dyshimet. Hetimet kanë shkuar deri në vendin e largët të Perëndimit, në Spanjë. Bëhet fjalë për një grup shqiptarësh, të cilët gjatë vitit të fundit janë dyshuar për një sërë plagosjesh dhe vrasjesh në qytete të ndryshme të këtij shteti. Në këtë grup mendohet se ka qenë i përfshirë edhe Franc Konomi. Këtë e vërtetojnë udhëtimet që ka bërë ai në rrugë ajrore ose tokësore. Në pasaportën e tij janë gjetur vula kufiri tokësor, por edhe fluturime drejt Spanjës, kryesisht nga Gjermania. Po ashtu, në vendin e ngjarjes policia kishte gjetur edhe disa prova që e lidhnin viktimën me këtë vend, pavarësisht se në dosjet e policisë aktiviteti i dyshuar për të nuk shtrihej në këtë shtet të largët të Europës Perëndimore.

Veç kësaj, duke parë faktet, janë identifikuar persona të ndryshëm që e shoqëronin Konomin në rrugët e tij për në Spanjë, pasi rezultonin që nga prenotimi i biletave bashkë e deri te kalimet kufitare. Nga ana tjetër, disa ditë më parë, rreth dy javë, në Shqipëri janë kthyer disa shtetas, të cilët jetonin në Spanjë. Emrat e tyre ishin skeduar edhe më parë nga policia, pasi autoritetet e hetimit në Spanjë i kishin të dyshuar për disa sherre, plagosje dhe vrasje në disa qytete të atjeshme. Madje, një prej tyre ka ardhur në Shqipëri rreth një javë para Franc Konomit dhe është vërtetuar se ai kishte njohje me të, por edhe me personat e tjerë. Mbi këto fakte, duke u bazuar edhe nga dëshmitë në lidhje me autorët e krimit, hetimet kanë shkuar në rrugën e këtij shteti, duke lënë të hapura dyshimet se porosia për vrasjen e Franc Konomit erdhi nga Spanja.

Mbi provat e mbledhura, burimet e prokurorisë thanë se autorët e krimit janë të moshës 25-30 vjeç. Ata mendohet se kanë bashkëpunuar me Konomin në Spanjë. Gjithashtu ata dyshohen edhe për grabitje të dhunshme në këtë shtet dhe vrasje për hakmarrje. Grupi, sipas hetimeve, mendohet shumë i fuqishëm. Për këtë arsye, katër persona janë vendosur nën përgjim si dhe vëzhgim nga operacionet speciale. Aktualisht, për shkak dhe të informacioneve të shumta që kërkohen, po bashkëpunohet edhe me strukturat më të larta të policisë shqiptare dhe me ato homologe, si në Spanjë, ashtu edhe në Gjermani. Nga dëshmia e një tjetër emigranti në Spanjë, policia ka vërtetuar se Konomi ka pasur konflikt me këtë grup të dyshuar dhe kjo mund të ketë sjellë hakmarrjen ndaj tij. Madje, gjykata ka miratuar edhe kontrollin e disa banesave dhe tre serviseve, që aktualisht mbahen nën mbikëqyrje dhe që mendohet se mund të sjellin prova të reja për këtë krim. Njëkohësisht policia nuk ka lënë mënjanë edhe pista të tjera hetimore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›