Përplasjet, myftiu i ri jep dorëheqjen
SHKODER - Jep dorëheqjen nga posti myftiu i sapozgjedhur në Shkodër, Ermal Nurja. Në orët e paradites ai paralajmëroi se nëse nuk do të zgjidhej përplasja mes Komunitetit Mysliman dhe ish-myftiut, ai mund të largohej, pasi nuk do të arrinte të bënte punën e tij normalisht. Por, pasdite, ai ka formuluar aktin e dorëheqjes drejtuar kryesisë së KSHM-së, duke e cilësuar motivin si personal. Gjatë ditës së djeshme ka qenë situata e nderë në Shkodër, ku ndonëse ishte e premte, ditë e shënuar për besimtarët myslimanë, dera e Myftinisë ka qenë e mbyllur. Nga ana e tij, ish-myftiu Ndriçim Sulejmani, pas hyrjes me forcë nga përfaqësuesit e KMSH-së në zyrën që mbante, ka bërë dy denoncime. Të parin në polici për marrjen me dhunë të zyrës, që sipas tij priste vendimin e Gjykatës së Tiranës për ta dorëzuar dhe të dytin në prokurori, për forcat e rendit pse nuk ndërhynë për ta ndalur këtë akt. Në lidhje me padinë e Sulejmanit kundër policisë, Prokuroria e Shkodrës ka bërë dje regjistrimin e saj. Me këtë çështje është ngarkuar vetë zv/prokurorja e rrethit, Edlira Cufi e cila ka nisur procedurat ligjore për zbardhjen e këtij incidenti në Myftininë e Shkodrës, pozicionin e uniformave blu, të mënyrës së menaxhimit të kësaj situate nga ana e tyre dhe nëse ka pasur ose jo tejkalim të kompetencave apo shkelje të ligjit nga forcat e rendit. Përplasja mes ish-myftiut të Shkodrës dhe Komunitetit Mysliman nisi pak javë më parë, kur u vendos shkarkimi i Ndriçim Sulejmanit. Ky i fundit pretendon se shkarkimi ishte antiligjor, duke e dërguar çështjen në gjykatë. r.d