Atentat në mes të Elbasanit, plagoset në kokë 25-vjeçari
ELBASAN- Një 25- vjeçar nga Elbasani është plagosur në kokë mëngjesin e djeshëm si pasojë e një atentati me armë të ndodhur në mes të qytetit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 09. 30 në një lokal kur një shtetas ka qëlluar tre herë në drejtim të lokalit dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga të shtënat është plagosur në kokë shtetasi Endri Biçoku, 25 vjeç, dhe pronari i lokalit Ardian Veci, i cili ka shpëtuar me një gërvishje në dorë. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar si pasojë e një konflikti të mëparshëm midis autorit të krimit dhe 25- vjeçarit Biçoku ndërsa pronari i lokalit është dëmtuar pa ndonjë lidhje me ngjarjen. Teksa dy të dëmtuarit kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Elbasanit, policia ka grrumbulluar informacione duke shpallur në kërkim policor shtetasin Kamber Mehja. Ky i fundit dyshohet si autori i të shtënave ndërsa mendohet se ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur nga policia. Gjithsesi hetimet për ngjarjen vazhdojnë dhe policia ka shpërndarë postblloqe në rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit të Elbasanit në kërkim të autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi me një mjet dhe ende nuk ka gjurmë të tyre.
Hetimi
Ekspertët e kriminalistikës kanë fiksuar në cilësinë e provës materiale tri gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm në një afërsi rreth pesë metra nga lokali ku ishte duke pirë kafe i plagosuri. Një plumb ka kaluar në afërsi të portës hyrëse që ka prekur në pjesën e kokës 25- vjeçarin Biçoku ndërsa një tjetër ka kapur në një gisht pronarin e lokalit ndërsa një tjetër ka përfunduar në një tabelë. Pas tre të shtënave, që sipas specialistëve, kanë qenë në një distancë të afërt por autori nuk ka pasur shumë shënjestër pasi në të kundërt kjo ngjarje do të kishte viktima. Rruga ku edhe ka ndodhur ngjarja është një ndër rrugët më të frekuentuara si nga automjetet ashtu edhe nga këmbësorët. Të shtënat kanë terrorizuar kalimtarët të cilët mund të ishin edhe viktima të plumbave. Fillimisht në bazë të dëshmive është identifikuar si autor një tjetër i ri por më pas pasi policia ka bërë të gjitha verifikimet ka shpallur në kërkim shtetasin Kamber Mehja si të dyshuar kryesor për ngjarjen ndërsa nuk bëhet ende i ditur emri i personit që ka bashkëpunuar me të.
Shkaku
Paraprakisht nga ana e hetuesve deklarohet se shkaku që ka sjellë krimin ka qenë një grindje e një nate më parë mes autorit dhe të dëmtuarit dhe motivet banale. Aktualisht përjashtohet mundësia e paramendimit pasi debati mes tyre ka vazhduar edhe mëngjesin e së martës kur edhe do të regjistroheshin të shtënat. Gjithsesi burimet zyrtare mbeten të rezervuara në lidhje me këtë version, i cili pritet të bëhet publik pas sqarimit të ngjarjes dhe kapjes së autorëve. Burime të spitalit rajonal të Elbasanit pohuan se 25- vjeçari, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është vendosur në sallën e reanimacionit. Sipas mjekëve, i riu ka marrë një dëmtim jo shqetësues në pjesën e kokës. Plumbi e ka marrë shkarazi dhe nuk ka shkaktuar dëmtime jetike. Gjendja e tij paraqitet e normalizuar. Ndërkohë pronari i lokalit është mjekuar në pjesën e dorës dhe është larguar për në shtëpi.