Vrasja e Takut, prokuroria: Po hetojmë në tri pista
Prokuroria e Tiranës ka ngritur tri pista hetimore për vrasjen e Spartak Canajt, i konsideruar “i forti” i Yzberishtit. Pista e parë ka të bëjë me një konflikt të vjetër me një ish-shokun e tij, me të cilin ka pasur disa konfrontime. Për këtë pistë hetimore, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje personin konkret, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ndonjë konflikt e aq më tepër që ta ketë vrarë. Pista e dytë hetimore ka të bëjë me një çështje pronësie. Disa javë para se të vritej, Spartak Canaj kishte pasur një konflikt me një ndërtues në zonën e Yzberishtit, ku dhe i ekzekutuari kishte edhe pronat. Me gjithë verifikimet e hetuesve të çështjes ende nuk ka asnjë të dhënë që mund të hidhte dritë se vrasja ka ndodhur për çështje pronësie. Ndërkohë, pista e tretë, por jo nga rëndësia, është konflikti i 36-vjeçarit për një femër. Disa ditë para ekzekutimit, prokuroria ka marrë informacione se Canaj është konfliktuar me disa persona, ndërsa në pyetje është marrë edhe vajza, e cila ka pranuar se ka pasur një konflikt. Ndërkohë, prokuroria ka marrë në dorë tri vendime që Canaj është dënuar për ngritjen e pistave të reja. Ka të dhëna se Canaj është dënuar tri herë. Në vitin 1991 është dënuar për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë. Në vitin 1996 është dënuar për plagosje dhe dënimi i fundit është në vitin 2003, ku është dënuar për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje, për të cilën u dënua 11 muaj burg.
#