E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, agjentët e DEA-s aktivë në Ballkan

Majkëll Braun, ish-shef i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës, analizon situatën në Shqipëri e Kosovë

Pas publikimit të Raportit të Departamentit të Shtetit mbi Trafikun Ndërkombëtar të Drogës, ku thuhet se Shqipëria dhe Kosova shërbejnë si vende transite të trafikut të drogës që vjen nga Afganistani për në Europën Perëndimore, “Zëri i Amerikës” interviston Majkëll Braun, ekspert i antitrafikimit. Ish-shefi i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës shprehet se “megjithëse vendet e Ballkanit kanë rritur numrin e konfiskimeve, grupet e krimit të organizuar përsëri arrijnë të gjejnë rrugë të tjera. Sipas tij, kjo ndodh jo vetëm nga shkathtësia dhe fuqia e këtyre grupeve, por edhe për shkak të mjeteve të kufizuara në dispozicion të forcave të rendit, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit që e luftojnë këtë trafik në vendet e Ballkanit. Eksperti i antitrafikimit pohoi se lufta kundër trafikimit të drogës kërkon përpjekje ndërkombëtare. Sipas tij, Agjencia Amerikane kundër Trafikut të Drogës, duke ndihmuar qeveritë e Ballkanit në luftën kundër këtij trafiku, ka praninë më të madhe të forcave të rendit jashtë vendit, rreth 90 punonjës deri tani. “Kjo agjenci nuk bashkëpunon vetëm me një apo dy vende në rajonin e Ballkanit, ajo shërben si një urë lidhëse mes shumë vendeve për të lehtësuar ndarjen e informacioneve të rëndësishme të zbulimit, për të bashkërenduar hetimet, për t’i shkatërruar apo të paktën për t’i dëmtuar rëndë këto organizata. Duhet thënë se vendet që bashkëpunojnë me këtë Agjenci luajnë një rol po aq të rëndësishëm sa ajo”, deklaroi Majkëll Braun. Pyetjes se a sjell trafiku i drogës terrorizmin, Braun i përgjigjet: “Ndërkohë që shohim tranzicionin e vazhdueshëm të Talebanit dhe Al-Kaidës nga grupe që drejtohen vetëm nga ideologjia, në grupe që drejtohen nga dollari apo euro, pra motivi ndryshon nga ideologjia tek fitimi, ky lloj skenari i sjell grupet në kontakte më të ngushta me grupe indigjene të krimit të organizuar që e kanë bazën në disa prej vendeve ballkanike. Pikërisht kjo më duket shqetësuese”. Sipas Braun, OKB-ja, në raportin e saj, përcakton se të ardhurat nga trafiku i drogë llogariten rreth 322 miliardë dollarë në vit, prandaj, kjo jo vetëm që i tërheq shumë grupet e krimit të organizuar në të gjithë botën, por po bëhet gjithnjë e më tërheqëse edhe për organizatat terroriste. Kur janë ndërprerë financimet nga donatorë privatë dhe kur është ulur numri i vendeve që mund të mbështesin hapur grupet terroriste, këta të fundit po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i mbajtur gjallë aktivitetet e tyre. Prandaj, ata po kalojnë natyrshëm drejt tregtisë së drogës. “Sa më shumë të ndodhë kjo, aq më elastikë, aq më të shkathët dhe aq më mobile bëhen ata, si dhe aq më të forta bëhen aleancat që fillojnë të krijojnë me grupe të fuqishme të krimit të organizuar dhe kjo është shqetësuese për mendimin tim. Gjëja më e rrezikshme është ajo që unë e quaj organizata terroriste hibride. Një grup që nga njëra anë funksionon si organizatë terroriste, por nga ana tjetër është edhe organizatë e trafikut global të drogës”, tha Braun.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›