Zhdukja e Belegut, mesazhin e nisi dikush tjetër
Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për zhdukjen e Eduart Belegut, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ndërsa ka marrë në dorë tabulatet e telefonit. Personat që kanë kontaktuar së fundi me Belegun janë marrë në pyetje dhe nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar ndonjë detaj me vlerë për hetuesit. Një nga provat më të rëndësishme për grupin hetimor të Krimeve të Rënda është edhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e të vëllait. Nga këqyrja e telefonit ka rezultuar se mesazhi është dërguar nga numri i Eduart Belegut, ndërsa janë krahasuar edhe mënyrat e të shkruarit, si edhe komponentë të tjerë. Prokuroria dyshon se mesazhi nuk është shkruar nga personi që rezulton i zhdukur, por nga persona të tjerë që mund të kenë rrëmbyer ish-drejtorin e DARFO-s. Dyshimet e prokurorisë vijojnë edhe me faktin se menjëherë pasi u dërgua mesazhi telefoni celular u mbyll. Megjithatë hetimet janë në vijim e sipër dhe për çdo ditë prokuroria, në bashkëpunim me policinë, merr informacione të reja.
Ditën që është zhdukur, Belegu ka lajmëruar vëllain me një mesazh se po largohej për disa ditë. Ai i ka kërkuar të vëllait që të mos e kërkonin, por ky i fundit e ka denoncuar rastin në polici, ndërsa telefoni i Eduart Belegut ende vazhdon të qëndrojë i fikur. Fillimisht policia ka hedhur dyshime se ai mund të jetë larguar nga shtëpia pa pasur ndonjë konflikt të mundshëm. Mësohet se po mbahen nën vëzhgim personat e dyshuar.
Për të mundësuar një hetim të plotë, oficerët e policisë gjyqësore po këqyrin çdo të dhënë në tabulatet telefonike, nga ku shpresohet të nxirret ndonjë e dhënë për zhdukjen e Belegut. Gjithashtu, hetimet janë përqendruar edhe tek automjeti, i cili është gjetur në periferi të Tiranës. Ekspertë të fushës po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e tij, ndërsa po mbahen kontakte me familjarët për çdo të re.
Burime nga akuza qendrore thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa ata që kanë komunikuar, qoftë fizikisht apo verbalisht, janë thirrur për dëshmi në prokurori. Grupi hetimor ka dyshime se gjatë takimeve me këta persona, Belegu u ka bërë me dije shqetësimet e fundit në lidhje me punën apo me hallet familjare, të cilat nga akuza mund të konsiderohen edhe si pista të zhdukjes së mundshme.