E Diel, 1 Nëntor 2026

Radarët kapin vijat lundruese të marijuanës shqiptare

QNOD-ja identifi kon skafet, por policia ka mungesë të mjeteve për t’i ndjekur Nëpërmjet oficerëve të kontaktit kërkohet ndihmë te vendet fqinje

Askush nuk e kishte menduar se edhe Shqipëria do t’i jepte informacion Italisë për finalizimin e operacioneve kundër trafikut të drogës. E kjo po ndodh pas ngritjes së Qendrës Ndërinstitucionale të Operacioneve Detare, me qendër në Durrës, e cila, në jo pak raste, radarët kanë kapur mjete detare, që në mungesë të mjeteve për ndjekje, i kanë kaluar informacionin Italisë, duke kërkuar bashkëpunim me ta.

Kështu ka ndodhur edhe me operacionin e fundit mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, ku u bllokua mbi një ton kanabis dhe u arrestuan shtatë shqiptarë. Në lidhje me këtë, policia ka shpjeguar sesi funksion ky bashkëpunim për goditjen e narkotrafikut. Burimet policore shpjeguan se natën e trafikimit të drogës, më 1 prill, Qendra Ndërinstitucionale e Operacioneve Detare konstatoi disa mjete lundruese të shpejta, të cilat po lëviznin në ujërat lundruese shqiptare. Menjëherë, në mungesë të mjeteve për të ndjekur gomonet e shpejta të trafikantëve, QNOD-ja ka njoftuar krerët e Ministrisë së Brendshme. Nëpërmjet Ministrisë së Brendshme janë njoftuar oficerët e kontaktit në Itali dhe në Greqi, të cilët janë vënë në kontakt me policitë e dy vendeve, duke bashkërenduar punën për kapjen e trafikantëve. Sipas të dhënave, kështu veprohet në shumicën e operacioneve edhe për shkak të mungesës së mjeteve të sofistikuara nga QNOD-ja shqiptare. Sipas të dhënave, kjo qendër sapo ka vendosur radarë të fortë dhe monitoron 24 orë pa ndërprerje ujërat detare shqiptare. Sapo vihet re ndonjë lëvizje mjetesh të dyshimta, nis puna për neutralizimin e tyre. Meqë Shqipëria nuk ka mjete të reja për lundrim, ndërkohë që pritet financim nga BE-ja, atëherë këto mjete i kalohen për kontroll policive të vendeve fqinje, të cilat kanë mjete më të mira për t’i ndaluar. Megjithatë, deti nuk është parë shumë si linjë trafiku, pasi narkotrafikantët, tashmë zgjedhin rrugë tokësore.

Sa i përket qendrës së re, e cila ka një sërë detyrash, por që merret edhe me parandalimin e trafiqeve, aktualisht po trajnohen ekipe detare. Sipas të dhënave, komandanti në terren është personi që kontrollon drejtpërdrejt mjetet detare, të përfshira në një operacion të veçantë dhe që drejton, nga pikëpamja taktike, operacionin në det, në drejtimin e oficerit të shërbimit të QNOD-së. Me financimet e reja pritet që QNOD-ja të ketë anije patrulluese, anije ndihmuese, mjete të shpejtë lundrues etj., që drejtohen nga ekuipazhe të stërvitura dhe të pajisura me mjetet e përshtatshme për kryerjen e operacioneve detare. Ajo funksionon si qendër komandimi për operacionet detare, qendër raportimi dhe informacioni, qendër kombëtare për kërkimin dhe shpëtimin në det dhe qendër për shkëmbim informacioni me strukturat partnere, ku kjo e fundit ka të bëjë direkt me bashkëpunimin me vendet fqinje. Në raste të veçanta, QNOD-ja mund të komandojë edhe mjete detare private, në rastet e operacioneve në det, kur këto mjete vendosen në dispozicion të operacioneve, sipas dispozitave ligjore.

Operacionet e QNOD-së përcaktohen në manualin e procedurave standarde operacionale, të miratuar nga ministri i Brendshëm dhe ministri i Mbrojtjes, pas bashkërendimit me institucionet e tjera pjesëmarrëse. Në të njëjtën mënyrë miratohet edhe plani vjetor operacional i QNOD-së. Ajo drejton dhe bashkërendon operacionet detare për llogari të Ministrisë së Brendshme, duke nisur që për kontrollin e kufirit dhe të luftës kundër trafikut të paligjshëm, të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe për detyra të tjera policore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›