E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, përplasje prokurori - ministri

TIRANË- Kur kanë kaluar katër muaj nga vrasja e ish- deputetit socialist Fatmir Xhindi, hetimet për këtë ngjarje përveç se nuk kanë dhënë rezultat, kanë krijuar dhe një përplasje midis dy institucioneve përgjegjëse për zbardhjen e ngjarjes, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Ministrisë së Brendshme.


Por pavarësisht kësaj, ministri i Brendshëm Bujar Nishani është shprehur dje se çështja po hetohet tërësisht nga Prokuroria, ndërsa policia ka nisur gjithë materialet hetimore drejt Krimeve të Rënda.


Ministri i Brendshëm ia ka kaluar në këtë mënyrë përgjegjësinë për zbardhjen e ngjarjes Krimeve të Rënda edhe pse hetimet e deritanishme nuk kanë zbuluar autorë të dyshuar të vrasjes.


Sipas Nishanit, hetimet në lidhje me vrasjen e ish- deputetit të opozitës po shkojnë brenda parametrave të parashikuara, ndërsa policia ka vënë në dispozicion ekspertët më të mirë për të zbardhur vrasjen e Xhindit, ndodhur më dy maj të këtij viti.


Por pretendimet e Prokurorisë janë të kundërta me atë të ministrit, pasi kjo e fundit është shprehur se mungojnë provat për të shkuar drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes.


Si edhe në deklarata të tjera të mëparshme, Nishani edhe gjatë ditës së djeshme është shprehur se hetimet do të sjellin së shpejti gjetjen e autorëve të vrasjes si dh zbardhjen e plotë të saj.


Por ndërsa ministri Nishani shprehet se hetimet janë në rrugën e duhur, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, pohojnë se akoma nuk ka asnjë autor të dyshuar për vrasjen e ish- deputetit Fatmir Xhindi.


Përveç mungesës së autorëve të vrasjes, të njëjtat burime nga Krimet e Renda shprehen se edhe ato pista që ishin ngritur në fillim kanë rënë për shkaka të mungesës së provave të sjella nga policia.


Disa ditë më parë, familjarët e deputetit të vrarë në Roskovec përpara banesës së tij u shprehen se hetimet po zvarriten, duke kërkuar në këtë mënyrë që të ketë dhe një hetim ndërkombëtar për vrasjen e ish deputetit të qarkut të Fierit.


Nishani në një komunikim që pati dje me median bëri komente dhe për vrasjen e katër efektivave të Policisë së Shtetit, ku foli për rëndësinë që pati operacioni për faktin se u arrit të arrestohej i shumë kërkuari Dritan Dajti.


Kur po bëhet gati një muaj nga vrasja e katër punonjësve të policisë në Durrës gjatë operacionit për arrestimin e Dajtit, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, e ka cilësuar këtë operacion si më të rëndësishmin, pavarësisht se pati një kosto të madhe në humbjen e katër efektivave. "Misioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti ishte një mision i vështirë.


Rënia në krye të detyrës e katër Dëshmorëve të Atdheut, ka qenë një moment shumë i dhimbshëm, por nuk duhet të harrojmë që Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në luftë kundër krimit dhe kriminelëve", - u shpreh Nishani për mediat duke shtuar se në beteja të tilla ka dhe të rënë, duke u nisur nga ngjarja e shtatë gushtit në Durrës, ku humbën jetën katër punonjës të Policisë së Shtetit.


Deklaratat e drejtuesit të Ministrisë së Brendshme u bënë dje gjatë një ceremonie për gradimin "Inspektor", të 58 punonjësve të brezit të dytë të Patrullës së Përgjithshme, zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë ceremoni morën pjesë dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare të policisë ICITAP dhe PAMECA.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›