E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e biznesmenit, hetohen komunikimet e fundit

Policia dhe prokuroria e Vlorës po shqyrtojnë tabulatet telefonike dhe e-mailet e shumta të ditëve të fundit përpara vrasjes


VLORË- Vrasja e biznesmenit vlonjat, Genci Abazaj, pritet që të zbardhet në sajë të tabulateve telefonike dhe e-maileve të shumta që ai ka shkëmbyer me njerëz të ndryshëm pak ditë përpara vrasjes. Rreth 10 ditë pas gjetjes së trupit, grupi hetimor është ende në fazën e verifikimit të materialeve, të cilat, sipas tij, janë voluminoze. Burime të rezervuara nga grupi bëjnë me dije që shqyrtimi i tabulateve telefonike dhe e-maileve do të kërkojë kohë për shkak se vetëm ditët e fundit ai ka pasur një fluks shumë të madh komunikimesh.


Sipas burimeve, aktualisht mes pistave që po punohet, nuk janë përjashtuar "motivet e dobëta", të ndikuara këto nga shqyrtimi i kontakteve telefonike që ka patur viktima. Gjithsesi pasi kanë shqyrtuar provat që kanë në dorë, referuar skenarit të krimit, burimet thonë se vrasësit kanë dashur të zhdukin trupin, fakt ky që do ta kishte bërë edhe më të vështirë procesin hetimor. Gërmimi që ata kanë synuar ka rënë në një tokë mjaft të fortë, dhe duket se nuk kanë parashikuar mjetet për ta gërmuar atë.


Në familjen e Abazajve, dhimbjes për humbjen tragjike të të afërmit, i shtohet edhe misteri "pse". Ata ende nuk gjejnë detaj që të ndihmojnë hetimet, ndërkohë që pohojnë se janë rimarrë në pyetje nga ana e prokurorisë së Vlorës. Vëllai i madh i Gencit, Albert Abazaj, vijon të këmbëngulë në shqyrtimin e rrethit shoqëror. Sipas tij, për tërheqjen në grackë është përdorur patjetër një njeri i njohur.


Të mundshëm, sipas tij, mund të jenë shqiptarë që jetojnë në Itali, të cilët ndoshta edhe janë xhelozuar nga ecuria e tij ekonomike në shtetin fqinj. 39 -vjeçari Genc Abazaj u gjet i masakruar në fshatin Darëzezë në mbrëmjen e 31 gushtit. Dy ditë më parë, familjarët kishin denoncuar zhdukjen e tij pa asnjë gjurmë. Abazaj jetonte prej shumë vitesh në Itali, ku edhe kishte ndërtuar aty një aktivitet në fushën e ndërtimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›