Avokatët e "Gërdecit" zvarrisin gjyqin
Gjykata nuk ka mundur ende që të nisë seancën e parë pasi mungesa e avokatëve shtyn gjyqin. Ankohen prokurorët
Gjykata tenton që të sjellë avokatë kryesisht por edhe këta mungojnë duke bllokuar procesin
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, edhe mëngjesin e djeshëm u detyrua të shtyjë seancën gjyqësore ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Mihal Delijorgjit dhe të ish-drejtorit të Kombinatit Mekanik në Poliçan, të pandehurit Lavdi Shatro.
Ka qenë mungesa e këtyre dy avokatëve mbrojtës, që e ka shtyrë treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, që në vend të tyre të caktojë avokatë kryesisht, por, edhe mungesa e tyre bëri që gjyqi të mos vazhdojë duke u shtyrë për me datën 23 shtator ora 10:00.
Ndërkohë, para se togat e zeza të vendosin shtyrjen e seancës gjyqësore, ishin disa nga avokatët e të pandehurve të tjerë që ishin të pranishëm, të cilët kërkuan veçimin e dosjes mes të pandehurve.
"Ne jemi shumë avokatë në këtë dosje dhe për shkak angazhimeve të tjera që kemi është shumë e vështirë të bëhemi bashkë të gjithë për të vazhduar ky proces gjyqësor. Kështu që jemi të mendimit, që të veçohen dosjet",- tha mbrojtësi ligjor i shoqërisë "Albademil" avokat Maks Haxhia, duke u mbështetur edhe nga kolegët e tij në sallë. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i prokurorëve të çështjes të kryesuar nga prokurori Altin Dumani. "Nuk jemi në fazën e parashtrimit të kërkesave për ndarje apo veçim çështjesh.
Kur të vijë koha e paraqitjes së këtyre kërkesave organi i akuzës do të mbajë një qëndrim, të cilin do ta shprehë para Gjykatës",- theksoi prokurori Dumani në fjalën e tij. Në kafazin e hekurt që ndodhej brenda sallës së gjyqit në ambientet e katit të parë të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, nuk ndodhej asnjë nga të pandehurit e arrestuar të kësaj dosjeje.
Ndërkohë, nga 24 të pandehurit e tjerë që gjykohen në këtë proces gjyqësor, vetëm 7 prej tyre kishin preferuar të vijnë vetë në sallën e gjyqit, duke i qëndruar pranë avokatëve të tyre mbrojtës vetëm pak metra larg familjarëve të viktimave që në asnjë seancë gjyqësore nuk mungojnë.
Seanca e djeshme gjyqësore pranë kësaj gjykate është shtyre për të tretën herë, duke mos u krijuar mundësia, që treshja gjykuese e kësaj gjykate të fillojë procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve.
Sipas prokurorisë, 28 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role dhe kohë të ndryshme, kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, duke sjellë për pasojë shpërthimin e ndodhur më 15 mars 2008 në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec të komunës së Vorës. Ku si pasojë e këtij shpërthimi gjetën vdekjen 28 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan e u plagosën, duke sjell edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Familjarët pas gjyqit
TIRANË- "Ne si familjarë jemi shumë të dëshpëruar nga shtyrjet e këtyre seancave dhe do jemi prezent gjithmonë në këto seanca, pavarësisht se ata do t'i shtyjnë. Për sa i përket anës morale të politikanëve , duhet të jenë pak më të kujdesshëm për punë si Gërdeci dhe me ne familjarët që kemi humbur njerëzit tanë atje. Dikur një politikan thoshte për moral, duhet bërë kjo, kurse sot morali i tyre mesa shohim ne ka rënë përtokë.
Por këtë gjë nuk e gëzojmë që të kalojë në drejtësinë shqiptare. Duam që drejtësia shqiptare të vazhdojë që popullit t'i kthejë besimin se këtu vërtet ka drejtësi. Peticionin e kanë firmosur dhe ne u gëzuam shumë kur e pamë të firmosur atë peticion që na dhënë pak shpresë, se vërtet në Shqipëri ka pak njerëz që qenkan përkrah nesh.
Ne konkretisht kërkojmë që ai duhet të mbarojë një herë seancat gjyqësore, duhet të paraqitet në gjyq dhe më mbrapa në rast se ai është i pafajshëm le të vazhdojë rrugën e vet",- tha Ferizan Duda, kryetari i Shoqatës së Viktimave të Gërdecit, menjëherë pas shtyrjes së seancës gjyqësore.