Shkodër, hiqen mbetjet nga stacioni i Bajzës
Gjashtë tonë pesticide janë hequr përfundimisht nga stacioni për t'u transportuar në Angli. Banorët: Ishin objekt sëmundjesh
SHKODËR- Largohen përfundimisht nga stacioni hekurudhor ndërkombëtar i Bajzës rreth gjashtë ton pesticide të lëngshme e të ngurta , të cilat prej 18 vitesh qëndronin në disa prej magazinave të këtij stacioni.
Në prani të drejtuesve të UNDP , pushtetit vendor dhe hekurudhës , është bërë dhe përfundimi i procesit ku ngarkesa e fundit me mbetjet e rrezikshme është larguar në drejtim të Anglisë, vendit ku ato do të asgjësohen.
Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe këmbënguljes së madhe që nga viti 1993 të pushtetit vendor dhe drejtorisë së hekurudhave, më në fund me ndërmjetësimin dhe të UNDP, problemi mjaft shqetësues për komunitetin e kësaj zone ka gjetur zgjidhje.
UNDP ka hartuar projektin, i cili ka gjetur mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare dhe asaj të Mbretërisë së Holandës dhe pasi është bërë dhe tenderi ndërkombëtar. Është një firmë angleze- kroate ajo që ka bërë paketimin e transportin e lëndëve helmuese drejt Anglisë, vendi ku ato do të asgjësohen.
Procesi i ambalazhimit të mbetjeve helmuese është ndjekur dhe nga drejtues të komunës dhe specialistë të firmës përkatëse. Mbetjet futen në fuçi të mbyllura hermetikisht dhe më pas me kamionë të firmës përkatëse janë dërguar në Angli.
Zona e magazinës ku lëndët helmuese të rrezikshme gjenden prej 18 vitesh është rrethuar me shiritat përkatës dhe punonjësit me veshjet e posaçme kanë realizuar procesin. Sipas drejtorit të stacionit hekurudhor ndërkombëtar të Bajzës, Valentin Popaj, projekti që ka filluar me sensibilizimin e takime të ndryshme me faktorët e përfshirë në këtë proces për të ardhur tek largimi i tyre.
Projekti që ka një vlerë prej 2.7 milion $, përfshin jo vetëm largimin e transportin e tyre drejt Anglisë por dhe larjen e magazinave ku ato kanë qenë të vendosura, pastrimin e dheut, pjesës nëntokësore të vendit ku ato ndodheshin.
Janë bërë analizat përkatëse të pjesës nëntokësore të tokës dhe pas largimit të tyre do të bëhet rehabilitimi i ambientit ku ato ndodheshin në mënyrë që gjithçka të kthehet në normalitet .
"Kjo do të ndikojë pozitivisht pasi jo vetëm shtohen magazina e ambiente në dispozicion të këtij stacioni hekurudhor ndërkombëtar, i vetmi i tillë në vendin tonë, ku përpunohen rreth 8000 vagonë me mallra në vit, por ndikon dhe në krijimin e sigurisë së atyre që përdorin këtë stacion për transport mallrash",- thotë Popaj. Që nga viti 1993, pushteti vendor ka kërkuar largimin e këtyre helmeve të rrezikshme nga magazina ku ndodheshin dhe ku kanë sjellë jo pak dëmtime tek komuniteti.
Në vitet 90-të , sidomos para e pas 1997 , banorët e zonës, nga padija i kanë marrë e përdorur enët plastike, bidonët ku ndodheshin pesticidet e lëngshme për nevoja personale të ndryshme, duke i derdhur lëndët helmuese në tokë dhe duke i përdorur bidonët deri dhe për ujë. Ende sot, me gjithë sensibilizimin e bërë, ka familje që vazhdojnë t'i përdorin këto fuçi e bidonë që kanë patur helme për nevoja të ndryshme personale.
Banorët e Bajzës shprehen se ndihen të lehtësuar që më në fund rreziku po largohet. Luigj Isufaj , banor në këtë zonë, shprehet se vdekjet e sëmundjet për shkak të pesticideve kanë qenë mjaft të pranishme në këtë zonë.
Ai shton se është një nga të prekurit prej sëmundjeve të shkaktuara nga këto helme. Nga viti 2000 e deri tani stacioni është rrethuar dhe ruhet me roje që nuk lejojnë afrimin e askujt pranë tij dhe pse hapësira e shtrirja e madhe gjeografike e tij nuk e eviton plotësisht këtë .
Por para këtij viti, njerëzit kanë lëvizur lirisht pranë magazinës me pesticide, pasi dhe stacioni hekurudhor i vetëm ndërkombëtar ishte jashtë funksionit .një vit më parë, UNDP prezantoi në Shkodër projektin për largimin e këtyre mbeturinave të rrezikshme dhe tashmë kjo duket se po bëhet realitet .