Vrasja e biznesmenit në Elbasan, dyshohet hakmarrja
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka shoqëruar deri më tani 50 persona për vrasjen e pronarit të hotel "Sandra", por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një dëshmi që t'u vlejë hetimorëve për identifikimin e autorit të krimit. Vrasja e 31-vjeçarit Saimir Binjaku në një sallë interneti mbetet ende e mistershme, ndonëse blutë janë duke hetuar në disa pista për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Referuar burimeve nga grupi i hetimit, ngjarja dyshohet të ketë si motiv hakmarrjen. Dyshohet ndonjë konflikt që mund të ketë pasur viktima në Shqipëri, por edhe hesape të tjera të pambyllura, kur ai ka qëndruar në Itali rreth 5-6 vite më parë. Ndërkaq, për sa i përket mënyrës së ekzekutimit, policia bëri të ditur se 31-vjeçari Saimir Binjaku është qëlluar nga dy persona. Në trupin e Binjakut janë gjetur 11 plumba që dyshohen të kenë dalë nga një armë tip pistoletë. Katër prej plumbave e kanë kapur viktimën në kokë, ndërsa shtatë të tjerët në pjesë të ndryshme të pjesës së kurrizit. Autorët për nga mënyra e ekzekutimit duket se e kanë studiuar itinerarin e 31- vjeçarit deri sa ai ka mbetur i vetëm dhe më pas autorët janë futur në sallën e internetit duke e qëlluar plot 11 herë. Burimet bënë të ditur se për vrasjen e të riut është përdorur silenciator si dhe një çantë, e cila ka bërë që gëzhojat të mos bien në ambientet e sallës së internetit. Askush nga personat që kanë qenë në momentin e ekzekutimit nuk ka pohuar të ketë njohur autorin, pasi sipas tyre gjithçka kishte ndodhur sa hap e mbyll sytë. Policia ka ngritur dyshime mbi përdorimin e dy armëve nga ana e autorëve, por kjo mbetet për t'u verifikuar. Dje në mesditë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mbërriti një grup ekspertësh në përbërjen e të cilëve ishin katër specialistë të Krimeve të Rënda si dhe ekspertë të laboratorit qendror në Drejtorinë e Kriminalistikës. a.k