E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit, pak orë pasi përcolli të birin

04/05/2009  Rrëfejnë të afëmit dhe shokët e Fatmir Xhindit: Orët e fundit me deputetin

Intervista me Xhevahir Abedinin: Pimë kafe me të përreth një orë, ishte shumë i qetë

FIER- Motivet e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi janë ende ta pazbardhura, ndërsa policia ka pyetur dhjetëra persona. Shumë prej banorëve të Roskovecit përfshi dhe ata që e kanë parë për herë të fundit gjallë kanë dëshmuar në komisariat mbi kontaktin që kanë pasur me të apo ndonjë shenjë që mund t’i çojë drejt së vërtetës strukturat e drejtësisë. Ai është vrarë pak minuta pas orës 21:00 të mbrëmjes të së shtunës. Por para se të shkonte në banesën e tij ai ka qenë në një lokal afër banesës ku ai jeton për të pirë një kafe me tre miq të tij. Sapo ka ndaluar para portës së murit rrethues të banesës së tij një person i ka thirrur në emër. Ai ka hapur derën dhe në momentin që ka zbritur është qëlluar nga dy breshëri kallashnikovi . E para ka qenë në distancë pesë metra dhe tjetra në distancë më të afërt rreth tre metra. Po këto burime pohuan se personat që janë përfshirë në këtë vrasje janë më shumë se një. Ngjarja e rëndë për fat të keq nuk ka asnjë dëshmitar okular.

Dëshmitë

Mësohet se vetëm njëra prej kunatave të viktimës është shprehur se ka dëgjuar një zë burri që e ka thirrur në emër viktimën dhe më pas krisma. Burime nga policia e Fierit, nga banorë të zonës, komshinj, të afërm të tij pohuan për gazetën se Xhindi paradite ka qenë në Fier, ku ka përcjellë djalin e tij Amarildon, i cili vazhdon studimet për mjekësi në një universitet në Rumani. Pasi e ka përcjellë ai është kthyer në Roskovec ku ka pirë një kafe me disa të njohur dhe më pas ka ndërruar rrobat, duke veshur të punës dhe është nisur për nga tokat e tij që ka në fshatin Kurjan. Ai ka pirë një kafe me tre persona në një lokal fare pranë shtëpisë dhe është nisur drejt vdekjes së tij. Një djalë rreth 23 vjeç ka pohuar për gazetën se: “Ishte ora 21 e disa minuta. Fatmiri ishte në lokal që kish pirë kafe e sapo doli. Unë po flisja me telefon celular jashtë lokalit. Pas pak minutash dëgjoj të shtëna, ndërkohë lajmin e morëm vesh nga një klient polic”. Ndërkohë njëri nga dëshmitarët, ai që ka qëndruar për më se një orë në lokalin e fshatit Kurjan Xhevahir Abedini ka pohuar për “Metropol”...

Kur e keni takuar për herë të fundit Fatmirin?

Kemi qenë një grup prej 3 vetësh në lokal, e kemi ftuar në tavolinë, erdhi u ul bashkë me ne.

Çfarë keni biseduar?

Për punët e bujqësisë, hallet familjare, që na preokupojnë ne përditë. Sidomos jemi ndalur gjatë për bujqësinë, duhanin, misrin, mbjelljet e grurit etj.

Ishte i shqetësuar?

Aspak, gjithnjë i qetë siç e njihnim ne. Nuk u duk se kishte ndonjë hall ose shqetësim. Të gjithë jemi thirrur në komisariatin e policisë së Fierit, ku kemi dëshmuar për këto gjëra.

Kemi qenë të gjithë bashkë sa ishin në lokal.

Kishte njerëz të tjerë në lokal?

Po, ishin nja dy fshatarë të tjerë në tavolinën me tej, pleq.

Kishte konflikte Fatmiri në fshatin tuaj, meqë ishte prej andej?

Asnjë konflikt, madje tokat i ka fituar në bazë të ligjit 7501 njësoj si të gjithë ne.

Ju si banorë të fshatit të tij pavarësisht se kishte ikur prej 10 vjetësh nga fshati juaj, ai vinte çdo fundjavë. Dinit ndonjë shqetësim?

Unë nuk di asgjë. Ai vinte të punonte kryesisht vet, por edhe vëllezërit, pasi kanë tokat e tyre këtu. Ka mbjellë pemëtari, vreshta dhe i shërbente vet atyre.

Në tavolinë folët për kandidimin e tij sërish?

Jo, për politikë nuk folëm fare, as për kandidim.

Patët konflikte, ose me persona të tjerë?

Absolutisht as me ne as me persona të tjerë.

CEREMONIA

Mijëra qytetarë nderojnë...

Mijëra qytetarë morën pjesë të dielën pasdite në një ceremoni mortore të zhvilluar në qytezën e Roskovecit në nder të deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i cili u vra me armë zjarri të shtunën në mbrëmje. Kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni, përfaqësues të Partisë Socialiste, të partive të gjithë spektrit politik, përfaqësues të qeverisë, miq e të afërm të deputetit 49- vjeçar, i cili përfaqësonte zonën e Roskovecit, në jugperëndim të vendit, prej tre legjislaturash në Kuvendin e Shqipërisë. Arkivoli me trupin e tij të jetë i shoqëruar nga mijëra qytetarë si dhe nga banda e qytetit që luante muzikë funebër është marrë në krahë deri në sallën e kinemasë ku u vendos për t’i kryer homazhet e fundit. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit kanë qenë deputetë të të gjitha forcave politike të majtë e të djathtë. Ka marrë pjesë kreu i selisë rozë Edi Rama, Kryeministri Berisha, Presidenti Topi, Kryeparlamentarja Topalli e shumë drejtues të tjerë të forcave politike. "Fatmir Xhindi ishte njeriu zemërmirë e gojëmbël që jetonte mes punëve të fshatit dhe të Kuvendit të Shqipërisë, pa prishur kurrë qejf me askënd", tha Rama Lamtumirë Xhindi Ynë zemërmirë”. Ndërkohë po dje Fatmir Xhindit i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Roskovecit. Ndërkohë të gjithë krerët e shtetit dhe partive politike kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes që tronditi gjithë vendin.

FAMILJARËT

Të dëshpëruar për humbjen

Familjarët e deputetit të vrarë socialist Fatmir Xhindi kanë refuzuar ofertën e kryetares së Kuvendit që homazhet e përcjellja e deputetit për në banesën e fundit të bëhej nga ambientet e Kuvendit. Familjarët kanë kërkuar që homazhet të kryhen në banesën e të ndjerit në Roskovec të Fierit dhe sipas zakoneve të tyre. Shumë të tronditur ata nuk kanë arritur të flasin, përveçse disa deklaratave të shkurtra ku pohonin se Fatmir Xhindi nuk kishte konflikte me askënd. Ajo çka është dhe më e rëndë sidomos për njërin nga vëllezërit e tij është fakti se ka qenë ai i pari që ka parë Fatmirin të mbytur në gjak dhe e ka dërguar në spital, ku i ka vdekur dhe ndër duar. Deputeti Fatmir Xhindi është i martuar me Xhemilen e nga martesa ka tre djem. Amarildon që vazhdon shkollën e lartë në Rumani për mjekësi, Andin që vazhdon shkollën e lartë në Tiranë për mjekësi si dhe Albanin që është nxënës gjimnazi i një shkolle të mesme në Fier. Familjarë të shumtë që ndodheshin në repartin e kirurgjisë së spitalit rajonal Fier kanë qenë shumë të irrituar ku nuk mund të merrje asnjë lloj informacioni. E njëjta situatë e rëndë ndodhej edhe në banesën e të vëllait të tij ku prisnin burrat për ngushëllim. Ata tregonin se Fatmiri vetëm të mira u kish bërë jo vetëm banorëve të kësaj zone por kë njihte apo që i kërkonte ndihmë.

KËRKIMET

Sipas burimeve policore mësohet se në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja automatiku kallashnikovë, copa xhami dhe gjak. Vendi i ngjarjes ishte prishur pasi kishin kaluar të afërm të deputetit për ti dhënë ndihmën e parë mjekësore. Në një cep fare pranë shtëpisë së tij, vend me barë të njomë , ishte I prishur gjë që sipas policisë aty mund të ketë qëndruar një person që i kishte zënë pritën. Ai ka qëndruar në atë vend rreth 30 minuta , pohuan burimet policore fierake për gazetën. Qentë e policisë që u dërguan në vendngjarje I ndoqën gjurmët deri në kënetë por s’doli asnjë rezultat pozitiv. Kjo, pohuan burimet policore do të thotë se atij I kishin zënë pritë. Burime konfidenciale policore pohojnë se kjo ka qenë një vrasje që është kryer me shumë profesionalizëm pasi autori apo autorët e kësaj vrasje pothuajse nuk kanë lënë asnjë lloj gjurme. Vrasja e deputetit socialist Xindi ka bërë që Fieri të kalojë natën në shtetrrethim. Ndërkohë policia ka kontrolluar të gjitha automjetet e dyshuara që kanë kaluar përgjatë akseve rrugore në drejtim të Fierit, Beratit dhe Vlorës, me postblloqe të përforcuara.

JETA

Në qytezën gjysmë fshatare dhe gjysmë qytetare të Roskovecit, e cila ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Fierit, pas shkollës së mesme të bashkuar të këtij qyteti, ndodhet shtëpia dykatëshe e deputetit Xhindi. Në këtë shtëpi, ai jetonte prej 10 vjetësh qysh kur kish ikur nga fshati i tij i origjinës Kurjani, i cili ndodhet edhe 5 km larg Roskovecit. Në këtë banesë jeton nëna e tij, gruaja dhe 3 djemtë përkatësisht 22, 20 dhe 16-vjeçar. Banesa e familjes Xhindi nuk dallon shumë nga të tjerat. Madje dhe mobilimi ishte tejet modest. Shumë prej banorëve shprehen se ata nuk jetonin në luks siç mund të përfytyrohet jeta e një deputeti. Sipas të afërmve të Fatmnitr Xhindit, ai nuk pranonte të jetonte në Tiranë, pasi kishte dhe tokat në fshatin Kurjan ku kishte mbjellë më së shumti vreshtari dhe ullinj. Ai punonte vetë në tokat e tij dhe këshillohej shpesh me banorët përreth për mbarëvajtjen në bujqësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›