E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit të PS-së drejt zbardhjes

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ekzekutimi i Fatmir Xhindit

Vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, po shkon drejt zbardhjes së plotë dhe shumë shpejt policia do të dërgojë përpara drejtësisë autorët e krimit. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dje në ambientet e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Nishani nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër në lidhje me motivet dhe autorët e ekzekutimit të deputetit, më 2 maj të këtij viti, por ka saktësuar se hetimet intensive kanë pësuar përparime esenciale.
Hetimet
“Hetimet po ecin dhe po zhvillohen çdo ditë në mënyrë shumë intensive. Që nga dita që ka ndodhur krimi i rëndë, ekzekutimi i Fatmir Xhindit para derës së shtëpisë së tij në Roskovec, hetimet kanë pësuar një përparim esencial, qoftë në aspektin e pistave hetimore qoftë dhe në aspektin e personave të dyshuar. Siguroj opinionin publik se për shkak edhe të këtyre përparimeve esenciale që kanë ndodhur në procesin hetimor, ajo është një ngjarje që natyrisht do të zbardhet. Policia tashmë ka vënë një standardet që shumë prej ngjarjeve zbardhen brenda 24 orëve, por natyrisht ka raste që për shkak të komplikacionit apo për shkak të natyrës së veçantë të kërkojnë një kohë më të gjatë hetimesh, por ajo që është e sigurt është se autorët e këtij krimi të rëndë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar nga drejtësia”, - tha dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Sipas tij, policia dhe prokuroria vazhdojnë hetime intensive që prej ditës së ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi.
Ngjarja
Deputeti i Partisë Socialiste për tri legjislatura radhazi në Paralament u ekzekutua te dera e shtëpisë së tij më 2 maj. Fatmir Xhindi, sapo ishte kthyer nga fshati i tij i lindjes dhe po parkonte makinën, kur është qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar. Policia informon se të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë. Policia informon se deri në këto momente “është bërë këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimimi dhe sekuestrimi, në cilësin e provës materiale, i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishave të predhave, sekuestrimi i një pakoje aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes”.

Familjarët: “Të zbardhet sa më parë ngjarja”
Familjarët e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi i kanë dërguar një letër Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit për zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorit apo autorëve. Familjarët e deputetit të vrarë nga persona ende të panjohur kërkojnë sa më shpejt zbardhjen e ngjarjes. Xhindi u vra më 2 maj para pragut të shtëpisë me armë zjarri, ndërsa familjarët shprehen se pas kaq ditësh ata nuk dinë ende motivin e vrasjes së të afërmit të tyre. Familjarët bënë të ditur se i kanë dërguar një letër Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit për zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorit apo autorëve. Ata kanë shprehur në letër habinë se si gjatë këtyre ditëve nuk ka asnjë risi për krimin dhe autorët. Të indinjuar, familjarët akuzojnë strukturat e policisë për paaftësi në kapjen e autorit. Xhindi ishte deputet prej tri legjislaturash në Roskovec. Pak orë pas vrasjes, Prokuroria nxori disa pista hetimesh, ku mes tyre ishte dhe ajo e pronësisë ndërsa nuk u përjashtua as motivi për shkaqe banale.
Ky lajm është publikuar: 21/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›