E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Kosova e gatshme të argumentojë pavarësinë para Hagës

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka deklaruar dje gatishmërinë e tij ndaj kërkesës së Hagës për të argumentuar pavarësinë e Kosovës. Ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë së saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të bëhet me shkrim më 17 prill të vitit 2009, datë kjo të cilën Gjykata në Hagë e ka përcaktuar si limitin kohor, kur palët e përfshira në këtë çështje do të mund t’i paraqesin deklaratat e tyre me shkrim. “Urdhri i miratuar nga Gjykata më 17 tetor të këtij viti, me të cilin Kosova ftohet të marrë pjesë gjatë gjykimit të pavarësisë së saj, ofron siguri për vendin. Gjykata e ka rezervuar të drejtën, që të marrë vendime të veçanta rreth procedurave të mëtejme dhe ne do të respektojmë çdo vendim të gjykatës sipas periudhave përkatëse”, tha Hyseni. Për të mbrojtur ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës, institucionet e larta shtetërore kanë angazhuar kohë më parë një ekip ekspertësh ligjorë, të kryesuar nga britaniku Michael Wood. Hyseni ka shprehur besim të plotë në përgatitjet e ardhshme të këtij ekipi, në vendimin e gjykatës si dhe në ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë. “Institucionet e Kosovës kanë besim të plotë në gjykimin, që do të sjellë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kanë besim të plotë në drejtësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kanë besim të plotë në argumentimin e fuqishëm, që në favor të kësaj do të bëjë ekipi i ekspertëve ligjorë, të cilit do t’i prijë Sir Michael Wood”, theksoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›