E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev në Serbi, jo vetëm për pansllavizmin

Një miliard dollarë hua, gjashtë marrëveshje ndërshtetërore të rëndësishme dhe ritheksimi i mbështetjes ruse për Kosovën, kjo do të ishte kuintesenca e vizitës zyrtare gjysmëditëshe të fundit që Presidenti i Rusisë, Dmitrij Medvedev, bëri këto ditë në Beograd. Kjo vizitë që u trumbetua me aq zhurmë nga media serbe, sikurse u pa, të paktën nga pamje e jashtme, i "betonoi" edhe më tepër marrëdhëniet e përgjithshme mes Rusisë dhe Serbisë. Sidoqoftë, duke lexuar me kujdes shtypin serb, konstaton se gjatë kësaj vizite u konfirmuan jo vetëm "marrëdhëniet historike dhe shekullore mes dy vendeve dhe dy popujve sllavë", por u hodh edhe armatura për "betonimin" e marrëdhënieve të ardhshme të ndërsjella me disa marrëveshje të rëndësishme në fushat energjetike dhe financiare që, duket qartë, se e kapërcyen klishenë tradicionale të "vëllazërisë së pansllavizmit dhe të ortodoksisë së krishterë".

"Vëllazëria" e tanishme mes dy Rusisë dhe Serbisë, në emër të së cilës Rusia dhe Serbia konfirmuan edhe një herë tjetër partneritetin e tyre strategjik politiko-ekonomik, përfshi edhe qëndrimin unik për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, sidoqoftë, ka edhe një matematikë të pastër që konfirmon edhe një herë tjetër konsideratat dhe konkluzionet e analistëve dhe të njohësve të mirë të rrethanave ballkanike se Rusinë në përpjekjet e saj për t‘i thelluar sa më shumë marrëdhëniet e përgjithshme me Serbinë nuk e udhëheqin vetëm pansllavizmi dhe ortodoksia e krishterë, së cilës u përkasin të dy vendet, dhe interesat politike, por...

Serbia, logjikisht, ka nevojë për një gjigant të tillë energjetik dhe financiar si Rusia, por, mbi të gjitha, kjo e fundit (Rusia) e konsideron Serbinë si një partner të sigurt për depërtimin e saj në tregun energjetik të rajonit të Ballkanit dhe, përmes tij, në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Pavarësisht nga deklaratat politike pompoze, sidomos ato që kishin të bënin me mbështetjen nga e ana e Rusisë të përpjekjeve që po bën Serbia për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe të sovranitetit të saj, analistët vënë në dukje se 95 për qind të bisedimeve që u zhvilluan gjatë vizitës së Presidentit rus në Beograd, iu kushtuan çështjeve të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe, me këtë rast, e vënë theksin te fakti se bashkë me Medvedevin në Beograd erdhën, krahas një numri ministrash rusë të fushave ekonomike, edhe nr. 1 të kompanive më të fuqishme ruse, "Gasprom", "Gasprom njeft", "Lukoil", të bankës kryesore të Moskës, të Hekurudhave të Rusisë etj., që edhe në të kaluarën e kanë shprehur interesimin e tyre të madh për rajonin e Ballkanit.

Qysh para vizitës së Presidentit rus në Beograd ishte paralajmëruar se Rusia do t‘i jepte Serbisë një hua prej rreth 1 (një) miliard dollarësh që u konfirmua, në fakt, edhe gjatë vizitës. Megjithëse, sikurse vinte në dukje media serbe, pritej që gjatë vetë vizitës të bëheshin të ditura hollësitë rreth kësaj huaje, për të nuk u tha shumë se ku do të përdorej ajo dhe në cilat projekte konkrete do të përdoret. Dihet vetëm se 200 milionë dollarë të saj do të shkojnë, sipas medias serbe, për mbylljen e disa "vrimave" në deficitin buxhetor të Serbisë, ndërkohë që, sikurse u tha më sipër, nuk dihet shumë për 800 milionë dollarët e tjerë. Sidoqoftë, sipas ministrit rus të Situatave Emergjente, Sergej Shojgu, pjesëtar i delegacionit presidencial rus, të cilit i referohet media serbe, një pjesë e huas së madhe do shkojë për ndërtimin e pjesës hekurudhore të Korridorit 10, ndërkohë që lidhur me këtë çështje përmendet edhe ndërtimi i disa porteve të reja në lumin e Danubit, përmes të cilëve do të lidheshin Deti i Veriut dhe Deti i Zi, dhe të disa objekteve energjetike. Pritet që pala serbe, në një të ardhme të afërt, të përcaktojë projektet konkrete, për realizimin e të cilëve ajo ka ndërmend të shpenzojë huan ruse, ndërkohë që ekspertët rusë do të përcaktojnë interesat e huas, afatin e pagesës dhe çështje të tjera të lidhura me të. Por, megjithatë, vetë marrëveshja për huan e madhe ruse të lartpërmendur nuk u nënshkrua gjatë vizitës së Medvedevit në Beograd gjë që ra edhe në sy të opinionit publik dhe të medias serbe gjatë vizitës së këtij të fundit, u nënshkruan gjashtë marrëveshje ndërshtetërore dypalëshe, të konsideruara të rëndësishme, në fushat ekonomike e tekniko-shkencore, sigurisë, transportit ajror, arsimit, kulturës dhe në atë parlamentare. Me këtë rast përmendet sidomos marrëveshja për investimet e përbashkëta në rezervuarin nëntokësor të gazit në Banatski Dvor dhe në kuadrin e saj (të marrëveshjes) edhe të një protokolli për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët për nevojat e gazsjellësit rus "Juzhni potok" (Rrjedha jugore) që parashikohet që në një të ardhme të caktuar të kalojë përmes territorit të Serbisë. Po ashtu, sikurse bën të ditur gazeta serbe "Politika", gjatë vizitës së lartpërmendur u paralajmërua realizimi i projektit të madh të modernizimit të industrisë së naftës të Serbisë (NIS), tashmë në duart e rusëve. "Bashkëpunimi ekonomik dhe siguria energjetike e Europës varet nga këto projekte", theksoi në Beograd presidenti Dmitrij Medvedev, i cituar nga gazeta e mësipërme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›