E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, 100 mijë USD për studentët e zhdukur çekë

Pas kërkesave në tetëvjetorin e zhdukjes së tre studentëve çekë, policia shqiptare ka informuar edhe një herë se është vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë dollarësh për personat që mund të kenë informacion në lidhje me këtë ngjarje. Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit deklaroi se strukturat e hetimit të krimit vazhdojnë hetimet intensive lidhur me gjetjen e tre studentëve çekë të zhdukur në vendin tonë në gusht të vitit 2001. Në këtë kontekst, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve çekë në këto zona, kryesisht në Komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë edhe itinerari i lëvizjes së studentëve çekë në vendin tonë. Policia ka rikthyer në mendjen e qytetarëve, duke kërkuar ndihmën e tyre edhe një herë emrat dhe tiparet e studentëve çekë. "Personat e zhdukur janë Mihal Pavelka, i cili ishte i moshës 23 vjeç, me flokë të ndritshëm ngjyrë kafe dhe të shkurtra, sy ngjyrë blu, i gjatë 1 m e 90 cm, me trup të hollë; Jan Pavelka, i cili ishte i moshës 22 vjeç, me flokë kafe në gri të prera shkurt, sy ngjyrë kafe, i gjatë 1 m e 85 cm, mban syze; Lenka Tuçkova, e cila ishte e moshës 23 vjeçe, me flokë kafe të drejta të gjata deri në shpatulla, sy ngjyrë blu dhe e gjatë 1 m e 75 cm", deklaroi Policia e Shtetit. Më tej u tha se informacionet mbi tre studentët çekë mund të jepen në numrat e telefonit 129 dhe 0428098, numra që janë në dispozicion të qytetarëve. Theksojmë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion të personave që japin informacion të sigurt që çon në gjetjen e tyre shumën prej 100 mijë dollarësh dhe garanton fshehtësinë e informacionit të dhënë. Informacioni i fundit për ta ka qenë në shtator të vitit 2008, kur forcat RENEA kontrolluan në një shpellë në zonën e Dukagjinit. Informacioni ishte dhënë se ata ishin hedhur në atë shpellë, por nuk rezultoi i vërtetë.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›