E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet autori i dytë i vrasjes së kambistit Astrit Cubaj

 

Tiranë - Policia e kryeqytetit ka identifikuar edhe autorin e dytë të vrasjes së kambistit 40-vjeçar, Astrit Cubaj, i cili u ekzekutua të dielën te “Komuna e Parisit”. Deri tani policia na ka bërë të ditur vetëm mbiemrin e tij, Kotorri, për shkak të sekretit hetimor. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i riu, banues në lagjen e njohur si “Fusha e Aviacionit” në kryeqytet, është i njohur si person me precedentë të mëparshëm penalë. Tashmë është bërë shpallja e tij në kërkim dhe policia gjatë 24 orëve të fundit ka kryer kontrolle banesash në lagjen ku dyshohet se ai banon, pa arritur të bjerë në gjurmët e tij. Ndërkohë të njëjtat burime sqaruan se personi tjetër i dyshuar, që aktualisht është i arrestuar për një tjetër vepër penale, ende nuk ka pranuar autorësinë e tij në vrasjen e Cubajt, por gjithashtu nuk është gjetur ende asnjë provë bindëse që e implikon atë në vrasje. I arrestuari për një krim tjetër të ndodhur te “Komuna e Parisit”, ditën që ka ndodhur vrasja e kambistit, pasi ka sajuar ngjarjen për të cilën denoncoi në polici, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e së dielës. “Kam qenë në punë gjatë gjithë kohës. Nuk kam lëvizur nga mëngjesi i së dielës dhe deri në darkë vonë”, mësohet të ketë deklaruar ai para oficerëve të policisë. Ndërkohë sipas burimeve nga policia mësohet se ai është i dyshuari kryesor për këtë vrasje, pasi në makinë, por edhe në rroba dhe në trupin e tij, janë gjetur shenja e gjurmë komprometuese. Ndërkohë derisa nuk mund të gjendet një person që të konfirmojë prezencën e tij në ambientet e punës gjatë gjithë ditës së diel, policisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të marrë për bazë dëshminë e të arrestuarit. Ndërkohë identifikimi i personit tjetër, që ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e kambistit, është bërë i mundur në bazë të krahasimit të shenjave që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Vrasja e 40-vjeçarit Astrit Cubaj, ndodhi ditën e dielë rreth orës 14:50, në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, në momentin kur ai po kthehej nga puna dhe sapo ishte futur në hyrjen e pallatit ku banonte. Grabitësit e qëlluan për vdekje me pistoletë dhe i morën rreth 8 mijë euro që kishte me vete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›