E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e guvernatorit rritet tensioni ne Pakistan

Tre ditë zie kombëtare janë shpallur në Pakistan pas vrasjes së guvernatorit të provincës Punxhab, rajonit më të populluar pakistanez. Tensioni politik në vend ka arritur majat ndërsa vrasja e guvernatorit Salman Tasir, nga një truproje e tij për arsye fetare, është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Ceremoniali mortor i Salman Tasir pritet të mbahet sot në Lahore, kryeqytet i provincës Punxhab. Tasir u qëllua për vdekje afër shtëpisë së tij në kryeqytetin Islamabad. Autoritetet thanë se vrasësi i dyshuar është një truproja e tij, i cili i kishte kundërshtuar kritikat publike të guvernatorit ndaj ligjit për blasfemi, i cili parashikon dënim me vdekje për fyerje të Islamit.

Ministri i Brendshëm, Rehman Malik, tha se hetimet do të tregojnë nëse vrasësi ka vepruar vetë apo ka qenë pjesë e një komploti. Salman Tahseer ishte një nga zyrtarët me të lartë politik të Pakistanit. Apeli i tij i fundit drejtuar presidentit të vendit bëri bujë pasi Tasir i kërkoi që të falë një grua të krishterë, Azi Bibi, e cila ishte e dënuar me vdekje për blasfemi.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›