Vrasja e homoseksualit, policia e dyshon si gabitës
Vrasësi i tranvestitit ka pretenduar se e kishte marrë për femër por ishte dhe ishte tronditur kur mësoi se kishte një mashkull pranë
Hetuesit mendojnë se krimi ka ndodhur pas një tentative të mundshme grabitjeje të tranvestitit
TIRANE- "Unë e mora për femër homoseksualin në qendër, por doli se kishte qenë mashkull dhe
në gjaknxhetësi e sipër e kam vrarë dhe nuk di çfarë kamë bërë",- ky ka qenë pretendimi i Sefedin Hoxhës, të arrestuarit të dy ditëve më parë, si autor i vrasjes së tranvestitit Petrit Muça të njohur në shoqërinë e homoseksualëve me emrin Kristina. Në të kundërt, dyshimet e policisë janë se viktima dhe autori mund të jenë konfrontuar pas një tentative të mundshme për grabitje.
Burimet thonë se deri më tani dyshimet më të forta janë se tranvestiti ka dashur të grabisë klientin e tij, por sipas tyre nuk përjashtohet e kundërta. Ndërkohë që policia ka vërejtur tek autori i dyshuar i vrasjes çrregullime psiqike që mund të kenë qenë edhe shkak i mundshëm i krimit të së shtunës në mbrëmje.
Një fakt i tillë është bërë i ditur nga burime të policisë së komisariatit nr.1, që kanë zbuluar autorin e dyshuar të vrasjes ndërsa dyshimet e policisë nuk përputhen me versionin e ngritur nga 36- vjeçari Hoxha nga Dragashi i Kosovës.
I arrestuari si i dyshuar për vrasjen e Petrit Muçës, Sefedin Hoxha, gjatë të dielës në ambientet e policisë përpara oficerëve të zyrës së hetimit të vrasjeve është sjellë në mënyrë të çuditshme, pak kohë pasi ishte ndaluar prej tyre si i dyshuar për krimin pranë ish- hotel Drinit.
Gjatë marrjes së tij në pyetje fillimisht, Hoxha, nuk ka pranuar se kishte kryer vrasjen e transvestitit të njohur me emrin Kristina, por se rrethanat sipas hetuesve të çonin një një fakt të tillë.
Pas këmbënguljes së hetuesve ai ka pranuar se ishte autori i krimit, por se e kishte kryer pasi kishte mësuar se njeriu me të cilin do të kryente marrëdhënie seksuale nuk ishte një femër por në të kundërt, një mashkull. Kjo e ka acaruar kosovarin i cili më pas me një send të mprehtë që ka pasur me vete i ka prerë fytin tranvestitit.
Gjatë pyetjes së tij viktima ka treguar detaje mbi mënyrën e realizimit të krimit por se hetuesit nuk janë bindur mbi versionin e krimit të dhënë prej të arrestuarit. Për kundër pretendimit të të arrestuarit, policia ka ngritur dyshimet se viktima Petrit Muça dhe i arrestuari për vrasjen e tij janë konfrontuar për shkak tjetër.
Burime të Komisariatit të Policisë nr.1 në kryeqytet, pohuan dje se dyshimet e tyre lidhen më tepër me një konfrontim me qëllim grabitjeje se sa krim që mund të kishte një sfond seksual.
Ndërkaq hetuesit pritet të plotësojnë kuadrin e hetimit të tyre edhe me veprime të tjera hetimore që pritet të kryhen gjatë ditëve në vazhdim dhe që pritet të zbardhë plotësisht motivet e mundshme të krimit ndaj homoseksualit Petrit Muça.
Homoseksuali u gjet me fyt të prerë
Petrit Muça, 36 vjeç, me origjinë nga Elbasani, u gjet i vrarë nga punonjesit e komisariatit të policisë nr.1, të shtunën në mbrëmje rreth orës 22:00, në ambientet e ish- hotel Drinit, në rrugën "Abdi Toptani".
Efektivët e komisariatit të policisë nr.1, të shtunën në mbrëmje vonë, u njoftuan nga polici roje i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve se kishte dëgjuar një ulërimë në ambientet e braktisura të ish- hotel Drinit. Prej këtej vetëm pak caste më vonë kishte dalë një person që ishte larguar në drejtim të rrugës "Xhorxh Bush", ku më pas ishte zhdukur.
Policia pas mbërritjes së saj në vendin e ngjarjes kishte gjetur me fyt të prerë homoseksualin Petrit Muça. Blutë shoqëruan pas ngjarjes të gjithë të njohurit e viktimës si dhe vetë të dashurin e homoseksualit, Altin A. Ky, sipas burimeve të policisë i tregoi policisë se e kishte parë Petritin herën e fundit me kosovarin të ulur në një stol.
Policia ka mundur të gjejë të dyshuarin vetëm të nesërmen pasdite duke e shoqëruar dhe më pas arrestuar në ambientet e komisariatit të Policisë nr.1 në kryeqytet.
Gjendet arma e krimit pak metra nga vendngjarja
Një ditë më vonë, nga ngjarja e të shtunës në mbrëmje, efektivët e komisariatit nr.1, vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, kanë gjetur një mjet të mprehtë të ngjashëm me thikën të gjakosur të hedhur në rrugë. Gjurmët e gishtërinjve dhe të pëllëmbëve të administruar prej specialistëve dhe eskpertëve kriminalistë në thikën e gjetur dyshohet se i përkasin të arrestuarit.
Për të vërtetuar një fakt të tillë, policia ka dërguar gjurmët e administruara në Laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore, me qëllim krahasimin e tyre me gjurmët e gishtërinjve të të arrestuarit si i dyshuar për vrasjen.
Transvestitët dhe prostitutat
Kosovari na dukej person i frikshëm
Tranvestitët dhe femrat e tjera që frekuentojnë qendrën e kryeqytetit për të futur në krahun e tyre klientët e ndryshëm, kanë pohuar se Sefedin Hoxha, i dyshuar si autor i vrasjes së Petrit Muçës kishte tentuar edhe herë të tjera për të joshur ata. Një fakt i tillë është pohuar nga M. M, një prej femrave që punon në këtë territor siç thotë ajo për të siguruar mbijetesën e saj dhe të fëmijëve. "Kishte disa kohë që vinte këtu dhe na thoshte se sa para donim.
Na ofronte kafe apo ndonjë pije", tregon gruaja që prostituon, në qendër të Tiranës, ku edhe është arrestuar disa herë nga policia për këtë veprimtari". E lyer me flokë të kuqe dhe me veshje në ngjyrë të zezë, e dobët, mundohet të joshë ndonjë prej klientëve me dekoltenë që i tregon skamjen ku jeton.
"Kishte një javë apo dhjetë ditë që vinte vërdallë këtu dhe na ofronte ndonjë kafe apo ndonjë pije dhe hiqej si klient. Kishte një fytyrë të vrazhdë që të kallte tmerrin dhe bënte veprime që dukeshin prej një njeriu të çuditshëm",- thotë M.M. "më duhet të punoj për çdo ditë që të siguroj ndonjë lek për të mbijetuar për vete dhe për të mbajtur familjen,- tregon gruaja që mendon se i ka shpëtuar fare mirë vdekjes për shkak se ajo ka mundur të largohet gjithmonë në momentin e fundit duke mos pranuar paratë apo kafen që i ofronte i dyshimti.
Një femër tjetër më e re në moshë, rreth 27 vjeçe, që gjithashtu punon në qendër të kryeqytetit si prostitutë tregon se ajo ka refuzuar dy herë me radhë për të kryer marrëdhënie seksuale. "Nuk pranova se nga mënyra se si na shihte dhe vinte na provokonte ishte tepër i çuditshëm, ndaj dhe ne e kishim frikë dhe nuk pranonim të merrnim atë si klient".