E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë të lirë "përdhunuesin" e kamerieres

Dy ditë më parë, policia e kishte arrestuar pas denoncimit të punonjëses së tij për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë


Gjykata vendos arrest shtëpie për të akuzuarin e arrestuar me disa akuza dhe një armë zjarri


TIRANË- Pronari i një lokali denoncohet për përdhunim nën kërcënimin e armës dhe fizike ndaj kamerieres së tij 20- vjeçare, duke e çuar viktimën në prag të vetëvrasjes. Gjykata lë në arrest shtëpie të akuzuarin e arrestuar nga policia të cilit gjatë arrestimit të tij nga policia iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë e kalibrit 8 mm.


Lajmi është bërë i ditur dje, ndërsa dy ditë më parë, një vajzë, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, kishte denoncuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të kundrejt kanosjes me armë, Ilir Perajn, 40 vjeç, nga Shkodra me banim në Tiranë.


Ngjarja është konfirmuar dje nga burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit ku thuhet se Ilir Peraj, 40 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, dyshohet se ka përdhunuar nën kërcënimin e armës pesë ditë më parë në lokalin në pronësi të tij një vajzë 20 vjeçe, inicialet e së cilës nuk janë bërë të ditura nga blutë e kryeqytetit.


Mësohet se 20- vjeçarja ishte punësuar si kameriere në lokalin e marrë me qera nga autori i dyshuar i ngjarjes dhe sipas policisë, krimi ka ndodhur brenda ambienteve të lokalit të të arrestuarit.


Pas denoncimit të bërë nga e dëmtuara, hetuesit e Krimeve ndaj Jetës, kanë arrestuar 40- vjeçarin Peraj në banesën e tij, mbi të cilin rëndojnë disa akuza si: "shkaktim i vetëvrasjes" mbetur në tentativë, "marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës", "heqje e paligjshme e lirisë", "kanosjes me armë".

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, i arrestuari dyshohet se më 18 shtator, afër-"Nish Tulla nr. 3", pranë Institutit Bujqësor, ka krye marrëdhënie seksuale me dhunë dhe më pas dyshohet se e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit 20- vjeçaren, që punonte si kameriere në lokalin e tij. Ndërkaq, sipas rrëfimit të vajzës në polici, pas veprimeve të kryera prej të akuzuarit e dëmtuara është lënë e lirë.


Por sipas policisë, për shkak të tronditjes ajo ka tentuar vetëvrasjen duke prerë daamarët në banesën e saj. Për fat të mirë e dëmtuara është dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak dhe ka mundur të shpëtojë nga vdekja pas mjekimit të marrë.


Adoleshentja 20- vjeçare, edhe pse ishte kërcënuar që të mos kallëzonte në polici, ka bërë denoncimin për atë çfarë i kishte ndodhur. Pas marrjes së dëshmisë së të dëmtuarës, ka ardhur dhe arrestimi i 40- vjeçarit nga Shkodra, i cili banonte në Tiranë.


Pas arrestimit, ekspertët e policisë kanë vajtur në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale një pistoletë e kalibrit 8 mm dhe një thikë. Ndërkohë, mësohet se nga deklarimet që ka dhënë e dëmtuara para agjentëve të policisë, ajo ka treguar se pasi ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj, ka ushtruar dhe dhunë në disa pjesë të trupit, duke e lënë të dëmtuar.


Ndërkohë, dje Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka dhënë masën e sigurisë " arrest në shtëpi", ndaj Ilir Perajt, pasi duhet të përfundojë ekspertimi mjeko-ligjore për të dëmtuarën. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e pesë ditëve më parë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e asaj që ka ndodhur në lokalin e të arrestuarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›