E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demontimet, banorët: Na duket sikur po bie tërmet

Skrapar/ Banorë të fshatrave rrotull Bigazit ankohen për tymin e zhurmat, ndërsa shprehen se ndihen të frikësuar


SKRAPAR - Katër gica kanë ngordhur menjëherë pas nisjes së shpërthimeve, si për të treguar për rrezikshmërinë e lartë të mjergullës së tymit të krijuar nga shkatërrimi i municioneve dhe predhave të artilerisë. I quajtur ndryshe demontim, ky proces po kryhet nën mbikëqyrjen e një grupi specialistësh në ish-repartin ushtarak të Bigazit, 20 kilometra larg qytetit të Çorovodës dhe vetëm pak kilometra larg disa fshatra përreth tij.


Banorët e fshatrave përreth janë në frikë dhe panik të përditshëm, për shkak të shpërthimeve dhe tymit e mjergullës që krijohet në atmosferë, gjë që ndikon negativisht në jetën e tyre dhe të gjësë së gjallë.


Bëhet fjalë për një mjegull tymi si në ato të "kullave Binjake të 11 shtatorit në SHBA", siç do ta quajë një banor i Blezënkës, fshatit që ndodhet vetëm 1 kilometra larg qendrës së repartit dhe që është më i rrezikuari nga ndotja e zhurma.


Edhe pse procesi i demontimit kryhet në vendin e quajtur "Ara e Visockës", e cila ndodhet në pikën më të skajshme të repartit, pasojat ndihen në fshatrat Blezënkë, Qafë, Visockë, Koprënckë, Dhores, Kalanjas, Zogas etj,, fshatra këto që ndodhen pranë Bigazit.


Efektet e para të helmit e veprimeve toksike, të parët që i ndjenë ishin vetë rojet, të cilëve brenda ditës ju ngordhën 4 gica, pronë e tyre.


E përderisa viktimat e para janë gicat, qoftë larg që një gjë e tillë të ndodhë me njerëzit. Në emër të banorëve të Blezënkës, Nj.Mema, rreth të 70-ve, apelon për gazetën "Shekulli" se nuk është gjetur vendi i përshtatshëm për këtë proces me plot rreziqe dhe, sipas tij, kjo mund të kryhej fare mirë në ish-Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Mema thotë: "Ajo që po ndodh në Bigaz, vështirë se mund të besohet.


Aty prej dy javësh po kryhet procesi i shkatërrimit të municioneve me kapacitet të rëndë, gjë që ndihet fuqishëm në shtëpitë tona, të cilat tronditen sikur të bjerë ndonjë tërmet. Tymi që ngrihet aty, të kujton mjergullën e Kullave Binjake të 11 shtatorit në Amerikë.


Ne jemi ankuar në Komunën e Çepanit tek kryetari, i cili na ka dhënë të drejtë, por nuk ka gjë në dorë. Shumë fshatra e kanë problem tymin dhe helmimin, pasi aty punohet çdo ditë, përjashto të shtunën dhe të dielën, dhe kryhen 12 - 15 shkatërrime në ditë.


Nga zhurma dhe tymi kuptohet që kemi të bëjmë me predha të kalibrit të madh, përfshi edhe djegore mortajash". Por zëri i këtij banori nuk është i vetëm. Shumë syresh apelojnë për një kontroll rigoroz të procesit, madje edhe një ndërprerje të tij.


Bigazi është një nga repartet më të vjetra në Skrapar, ndërtuar në vitet 1960 dhe ka qenë në varësi të Bazës së Furnizimit të Ushtrisë me qendër në Gjeroven të Beratit. Aty prej vitesh janë ruajtur dhe trajtuar sasi të konsiderueshme armatimi dhe municionesh të të gjitha llojeve.


Madje, siç thonë banorët e kësaj zone, aty kanë "fjetur" bashkë "ujku me delen", për faktin që krahas municioneve të këmbësorisë dhe artilerisë, ruhej dhe trajtohej dhe një sasi e madhe baruti.


Rreziku këtu, pavarësisht kujdesit nga ushtarët dhe specialistët, ka qenë gjithmonë i pranishëm, sepse ndryshe nga shumë reparte të tjera ku municionet ruheshin nëpër tunele, në Bigaz ruhej e trajtohej në depo mbitokësore me çati e me soletë.


Deri në vitet 1990 në këtë repart shkarkoheshin çdo ditë 5 makina me fishekë që vinin nga Kombinati i Poliçanit. Përveç kësaj sasie aty trajtoheshin edhe gjithë fishekët e armëve trofe, të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.


E në këtë mish-mash municionesh nëse nuk ndodhi ndonjë tragjedi, kjo më shumë falë Zotit, sepse njerëzit që kanë punuar aty, përveç ankthit dhe frikës, nuk kanë patur ndonjë mekanizëm tjetër në dorë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›