Ndriçimi dhe shpejtësia, dy të vdekur në aksidente
Një 55-vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në Velipojë, ndërsa është përplasur me një lopë
SHKODËR - Është aksidentuar dhe pak minuta më pas ka gjetur vdekjen në spital 55-vjeçari Gjokë Vuçela nga Velipoja. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:45 në aksin rrugor Velipojë - Shkodër, pranë fshatit Sektor. Mësohet se 55-vjeçari ka qenë duke lëvizur me një motoçikletë, por nga një rrugë dytësore i ka dalë përpara një lopë.
Drejtuesi i motoçikletës ka manovruar, por nuk ka mundur të shmangë përplasjen me kafshën dhe, pasi e ka goditur atë, është rrëzuar në kanal duke u përplasur dhe me një plep në anë të rrugës. Kjo ka bërë që Vuçela të marrë plagë të rënda dhe të gjejë vdekjen rreth 20 minuta më pas në spitalin rajonal të Shkodrës.
Sipas policisë, shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga viktima teksa drejtonte motorçikletën dhe devijimi i përplasjes nga lopa tek pema e më pas në kanal. Mungesa e ndriçimit në rrugë ka bërë që 55-vjeçari ta dallojë në momentin e fundit kafshën që po lëvizte në asfalt dhe të mos evitojë përplasjen me të.
Ndërkohë, paraditen e djeshme është plagosur rëndë në Durrës kryetari i Komunës së Helmësit, Kavajë, Namir Gjoci, ndërsa ka ndërruar jetë vjehrra e tij 68-vjeçare. Tre vetë mbetën të plagosur në aksident, ndërsa policia bëri të ditur se shkak për të ka qenë shpejtësia e mjetit, e cila nuk i ka dhënë kohë drejtuesit të devijojë në momentin që një shtetase ka kaluar rrugën.
Kështu, për të shmangur përplasjen, Gjoci, i cili ishte në timon, ka dalë nga rruga, ka rënë në një kanal të cekët e më pas është përplasur me një plep në anë të rrugës. Gruaja 57-vjeçare e cila ishte kalimtare arriti të shpëtojë pas devijimit të drejtuesit të mjetit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, për personat brenda në makinë goditja ka qenë e fortë. Sipas policisë, automjeti tip "Benz" me targa KJ 6734 A që drejtohej nga 47- vjeçari Namir Gjoci, po udhëtonte në drejtim të Kavajës në aksin rrugor Shkozet-Plepa (mes mbikalimit hekurudhor dhe mbikalimit të Plepave).
Ekspertët në vendngjarje shprehen se përplasja ka qenë fatale për vjehrrën e shoferit, e cila ka vdekur në vend, ndërsa bashkëshorti i saj, Shyqyri Laçi, së bashku me dhëndrin ndodhen në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga hetimet e para rezulton se këmbësorja ka prerë rrugën, ndërsa shpejtësia e drejtuesit të automjetit nuk e ka lejuar atë të manovrojë në kohë, duke dalë jashtë rrugës. A.Dushi/M.Brunga