Gjirokastër, banesat e 14 familjeve, në rrezik shembjeje
Apeli/ Bashkia thotë se njerëzit nuk duhet të rrinë në të tilla banesa pasi vetë jeta e tyre është në rrezik
GJIROKASTËR- 14 familje në qytetin e Gjirokastrës jetojnë çdo ditë me rrezikun e shembjes së banesës, që mund të shkaktonte tragjedi njerëzore me përmasa të konsiderueshme.
Në kushtet e problemeve të mëdha ekonomike, e vetmja rrugëzgjidhje për ta është banesa në shtëpi që mund të shemben nga çasti në cast. Janë 17 banesa të tilla, si ajo e Thanas Vajës, Selfatët, Ciu etj, të cilat përbëjnë një rrezik të përhershëm për banorët e tyre, ndërsa nuk ekziston asnjë rrugëzgjidhje.
Burime nga bashkia e qytetit bëjnë të ditur se qysh prej vitit të kaluar, familjeve që jetojnë në këto banesa u është kërkuar të largohen prej andej.
"Pasi është kryer evidentimi i gjendjes fizike të këtyre shtëpive, u është kërkuar banorëve të largohen menjëherë prej andej, pasi ato mund të shemben në çdo moment, duke qenë se degradimi i tyre është tepër i madh, ne nuk kemi asnjë garanci për jetët e tyre", shprehet shefi i shërbimeve në bashkinë e qytetit, Dasho Sejdo. Ndërkaq nga ana tjetër, banorët deklarojnë se nuk munden të largohen, pasi gjendja ekonomike nuk i lejon të marrin një tjetër banesë.
Tahir Luke, së bashku me 11 anëtarët e tjerë të familjes jetojnë në një shtëpi dykatëshe në lagjen "Partizani", e cila ka pësuar çarje serioze të mureve. "Jemi këtu në duart e Zotit dhe me sytë nga shteti që të na ndihmojë, sepse vetë nuk mundemi.
Kemi kërkuar shpeshherë zgjidhje, por deri tani veç fjalëve të mira dhe shpresave nuk kemi parë asnjë zgjidhje konkrete. Tani po vjen dimri dhe shirat e erërat e forta mund të jenë faktorë për çarjen e mëtejshme të mureve ose në rastin më të keq shembjen e banesës", shprehet Tahir Luke.
Në shtëpinë e Thanas Vajës, në lagjen "Varosh", në një tjetër banesë mjaft të rrezikuar jetojnë aktualisht 4 familje, pasi njëra është larguar pak kohë më parë për shkak të frikës.
Të gjitha këto familje janë në listën e të pastrehëve të bashkisë Gjirokastër, si persona që jetojnë në shtëpi me ish-pronarë. Familja e Koço Kaçavarës banon në njërën prej këtyre apartamenteve.
Vetë kryefamiljari ka lindur në këtë banesë dhe tashmë bëhen 45 vjet që banon këtu. Tregon se deri në muajin dhjetor të vitit 1998 i kanë shlyer shtetit qiranë për banesën në të cilën jetonin, dhe frikën e madhe që kanë në rast rrëzimi të shtëpisë.
"Muret janë çarë te dhoma e gjumit dhe komplet dritarja e aneksit. Jemi ankuar shumë herë, por të gjithë na thonë se nuk kanë mundësi të na ndihmojnë", shprehet Koçoja.
Në listat e të pastrehëve në bashkinë e qytetit figurojnë 660 familje, prej të cilave 196 të kategorisë së parë, që jetojnë në banesa me ish- pronarë. Në vitin 2004 vetëm 40 familje mundën të përfitojnë banesa, ndërsa gjatë këtij viti 50 të tjera janë future në listën e përfitimit të kredive të buta, një projekt i qeverisë shqiptare. Pjesa më e madhe e familjeve që jetojnë në gjendje emergjente nuk janë përfshirë, pas nuk plotësonin kriterin ekonomik.