E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e katër policëve, dhjetra dëshmitarë të pyetur

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se janë mbi 30 persona, dëshmitarë të ngjarjes, të cilët janë dhe po intervistohen nga grupi hetimor që po heton ngjarjen e 7 Gushtit në Durrës. Dëshmitarë të organit të akuzës mësohet se janë qytetarë të ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes edhe efektivë të policisë së Shtetit që morrën pjesë në operacionin për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti.

Por, për dokumentimin e ngjarjes, bëhet e ditur gjithashtu se, janë administruar edhe prova shkencore, ndër to, aktet te ekspertimit të vendit të ngjarjes dhe rezultatet e ekspertizës balistike të dy armëve të zjarrit tip pistoleta të përdorura nga Dritan Dajtit që e fajësojnë atë në vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Mbështetur në këto materiale hetimore, grupi hetimor ka bërë rindërtimin e skemës së krimit, pohuan më tej burimet e prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Pasditen e 7 Gushtit 2009,  4 oficerë të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj,  humbën jetën në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Operacioni për arrestimin e tij u ndërrmor nga sektori i operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit  në plazhin e Durrësit pas informacione të marra  se i shumëkërkuari strehohej në këtë zonë  bregdetare.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti, ndërsa mbeti i vrarë shoku i tij, Ledion Mara, person me precedent penal.  Forcat e policisë së shtetit bënë të mundur prangosjen e Dajtit si dhe dy personave të tjerë,  të dyshuar si bashkëpuntorë të tij. Dritan Dajti, 39 vjeç nga Tirana, ishte në kërkim  që prej nëntorit të vitit 2003, kur,  u arratis nga Gjykata e rrethit të Tiranës, teksa procedohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj në vitin 1999 në kryeqytet. 

Për këtë ngjarje,  Dritan Dajti u dënua në mungesë me 20 vjet burg, ndërsa  me 9 vjet të tjera për arratisjen nga salla e Gjykatës së Tiranë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›