Vrasja e palestinezit, shoqërohen të dyshuarit e zakonshëm
Është një histori që vazhdon të prodhojë krim. Bëhet fjalë për fabrikën e çimentos në Fushë- Krujë, që ka qenë shpesh herë subjekt sulmesh me tritol.
Por mëngjesin e sotëm zv/menaxheri i fabrikës, shtetasi Anwar Rizik, ka gjetur vdekjen nga një shpërthim i fuqishëm në banesën e tij në Tiranë.
Shtetasi dyshohet se është palestinez, por ka pasur raportime se ai mund të jetë edhe jordanez. Në fakt në vitin 2011 ai ka marrë nënshtetësinë shqiptare me një dekret të presidentit Bamir Topi.
Forcat RENEA kanë nxituar të shkojnë pranë fabrikës së çimentos duke shoqëruar menjëherë banorët e zonës, të cilët tashmë njihen edhe si të dyshuarit e zakonshëm. Ata janë anëtarë të fisit Zalla, që kanë pasur konflikt me pronarët e fabrikës pasi ajo është ndërtuar mbi pronën e tyre. 15 persona nga ky fis janë shoqëruar në polici, siç ka ndodhur edhe herë të tjera kur fabrika dhe rrugët që të lidhin me të janë sulmuar me tritol.
Banorët janë ankuar se po bien pre e sulmeve të policisë sa herë ndodh diçka, ndërkohë që deri më tani gjykata i ka shpallur ata të pafajshëm. Ata thonë se përveç vuajtjeve nga fabrika, po vuajnë edhe nga policia.