Grinden me thika tre maturantë, një i plagosur rëndë
SHERRI/ Tre nxënës të shkollës së mesme pedagogjike janë grindur për motive banale duke rrezikuar jetën
PESHKOPI - Një zënkë e nisur mbrëmjen e së mërkurës ka përfunduar në sherr me thika mes tre maturantëve të shkollës së mesme pedagogjike, duke shkaktuar edhe një të plagosur rëndë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur për motive banale, ndërkohë që është rrezikuar seriozisht jeta e tre adoleshentëve, dy nga Lura dhe tjetri nga Maqellara.
Ngjarja ndodhi të enjten në orën e parë të mësimit teksa maturanti me inicialet S.K ka goditur me thikë në drejtim të maturantit tjetër E.K, i cili në moment ka arritur t'i rrëmbejë thikën nga duart dhe ta godasë bashkëmoshatarin e tij në qafë, duke i shkaktuar plagë të rëndë dhe duke i rrezikuar jetën.
Kanë qenë nxënës të tjerë dhe mësues të shkollës që kanë ndërhyrë për të shuar sherrin, por me vonesë pas plagosjes, ndërsa e kanë marrë të plagosurin për ta dërguar për në spital.
Më pas ai është nisur nga bluzat e bardha të Peshkopisë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje, bëri shoqërimin e maturantit E.K, si dhe një tjetër që nuk ka rezultuar i plagosur, por që mendohet të jetë përfshirë dhe ai në këtë sherr në mes nxënësish.
Bëhet e ditur se zënka ka filluar që të mërkurën, por që nuk është sinjalizuar në polici nga drejtoria e konviktit, pasi mësohet se edukatorët kanë ndikuar për qetësimin e situatës dhe shmangien e mëtejshëm të konfliktit. Por mëria e një nate më parë është ruajtur për ditën tjetër dhe konflikti ka përfunduar gati tragjikisht pas përleshjeve me thika.
Mësohet se maturantët konviktorë janë me banim në Lurë dhe tjetri në Maqellarë. Ndërkaq, mediat nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e këtij konvikti, duke shënuar rastin e dytë pas një ngjarjeje të rëndë ndodhur javë më parë. Fenomeni i grindjeve në mes të nxënësve është kthyer në një ritual të përditshëm në shumë shkolla të mesme, dhe sidomos muajt e fundit të vitit.
Po ashtu në jo pak shkolla të mesme të vendit, pos fenomeneve negative të përdorimit të substancave të dëmshme narkotike apo duhanit që pihet hapur kudo në oborre, korridore dhe klasa, jo pak nxënës mbajnë dhe armë të ftohta e deri tek armë zjarri, duke përbërë një shqetësim serioz, gjë që dhe prindërit po e shikojnë si "lëshim pa duar" të situatave nëpër shkollat e mesme të vendit.