Kroacia bllokon vizat tranzit për shqiptarët
Emigrantët akuzojnë konsullatën kroate për korrupsion. Kostoja e udhëtimit rritet automatikisht 400%
TIRANË - Kroacia bllokon vizat tranzit për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali prej thuajse 15 vitesh. Një fakt i tillë bën që kostoja e lëvizjes së tyre nga Italia për në Shqipëri të shumëfishohet automatikisht.
Kjo gjë bëhet e ditur nga një grup shqiptarësh, të cilët kanë shkruar një notë proteste për zhbllokimin e vizave tranzit në konsullatën kroate të Triestes.
Shqiptarët shprehen se çdo vit në sezonin e verës ata kthehen në Shqipëri për arsye të ndryshme dhe, duke marrë parasysh faktorin ekonomik, preferojnë të udhëtojnë nëpër tokë duke kaluar kufijtë e Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi e më pas në atdhe.
Por, sipas tyre, çdo vit në të njëjtën periudhë konsullata kroate e Tristes e bën edhe më të vështirë dhënien e vizave, duke i bllokuar ato deri më 20 gusht 2009.
"Arsyeja?! - shprehen shqiptarët - Askush nuk e di dhe nuk arrin ta kuptojë se si mund të bllokohen vizat tranzit kur emigrantët shqiptarë udhëtojne me mjetet e tyre duke kontribuar kështu dhe në ekonominë e Kroacisë, pasi kryejnë shpenzime të ndryshme gjatë tranzitit".
Ata hedhin edhe dyshime për një linjë korrupsioni në konsullatën kroate të Triestes, e lidhur kjo me linjën e trageteve që kryejnë itinerarin Trieste - Durrës.
Në një përllogaritje të thjeshtë, një familje me 4 anëtarë bashkë me automjetin e saj për të kryer rrugën Trieste - Durrës - Trieste duhet t'i paguajë agjencisë së trageteve rreth 1600 euro. Ndërsa në rast se kalon në rrugë tokësore, kostoja është vetëm 400 euro.
"Pra, kemi një rritje të detyruar të kostos me rreth 400%, - shprehen emigrantët shqiptarë. Konsullata kroate e Triestes ka bërë të mundur bllokimin e vizave pikërisht në sezonin ku agjencia detare arkëton maksimumin e saj nga shitja e biletave. Por ndërkohë, qeveria shqiptare e injoron problemin.
Emigrantët i bëjnë thirrje edhe Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore në Strasburg për marrjen e masave urgjente për zgjidhjen e këtij konflikti për paanësi mes palëve dhe duke dhënë me transparencë arsyet e bllokimit të vizave tranzite kroate për shqiptarët me dokumentacion të rregullt në Itali.