Dëshmitë kontradiktore të "grupit hije", kush i punësoi dhe kush i paguante
DËSHMITË
Disa nga personat pohojnë se janë paguar nga Dritan Minxolli, i cili i ka marrë në punë apo se kanë marrë pagën nga njëri- tjetri
Seran Maçi, ka pohuar se është marrë në punë nga Ylli Pinari dhe është punësuar si magazinier
Kunati i Selmanllarit: Kam dy vite që nuk e takoj Rrahmanin dhe nuk flas me të në telefon. Nuk e di me çfarë merret
TIRANË- Personat nën hetim, të njohur si anëtarët e "Grupit hije" që vazhdojnë të mbesin të "pazbërthyer" nga Prokuroria e Përgjithshme, para organit të akuzës kanë dhënë dëshmi kontradiktore dhe të ndryshme me njëri-tjetrin, edhe pse është provuar se ata punonin së bashku në punishten e demontimit të municioneve në Gërdec.
Ky fakt provohet nga procesverbalet e marrjes në pyetje të këtyre personave, procesverbalet e të cilëve ndodhen në dosjen gjyqësore që po gjykohet pranë Gjtykatës së Lartë.
Më poshtë, pas publikimit të dëshmive të plota të Rrahman Selmanllarit dhe Klejdi Qefalisë, po botojmë në ligjeratë të drejtë, pjesë të përmbledhura nga nga dëshmitë e këtyre personave nën hetim të njohur si "grupi hije": Bernard Kaçaça, Haxhi Mara, Seran Maçi, Nazmi Isufaj e shtetasit Shpëtim Kaçaça, djali i të cilit ka punuar për disa kohë në punishten e Gërdecit.
Benard Kaçaça: "Në 25 qershor të 2007 kam kërkuar punë në Gërdec ku më ka punësuar Dritan Minxholli, ku kam punuar deri ditën e ngjarjes më 15 mars 2008. Fillimisht kam punuar si roje dhe më pas merresha vetëm me ruajtjen e arkave boshe dhe me shitjen e tyre tek pronarët e furrave të gëlqerës.
Aty punoja në turin e dytë dhe tretë dhe për këtë punë Dritan Minxholli më paguante si rrogë 20 mijë lekë të reja dhe për çdo fillim muaji ai m'i sillte lekët tek vendi i punës pa firmosur në asnjë bordero, ndërsa, lekët e arkave që shitja ia dorëzoja atij për çdo ditë.
Aty në Gërdec kam njohur vetëm Dritan Minxhollin dhe Elis Fjollën, ndërkaq, nuk i njoh dhe nuk i kam takuar kurrë shtetasit; Ylli Pinarin, Seran Maçi, Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Klejdian Qefalia dhe Muhamet Hoxha, për të cilët më pyesni.
Ndërsa, sa i përket numrave të telefonit të shtetasit "Nazi", Seran Maçi dhe Kledian Qefalia që janë gjetur të regjistruar në telefonin që unë përdorja, shtoi se unë nuk i njoh, ata mund të jenë të njohurit e babait, pasi numri dhe telefoni ka qenë i tij",-ka thënë ndër të tjera Bernard Kaçaçi para prokurorisë.
Shpëtim Kaçaçi, babai i Bernard Kaçaçit: Djali im ka punuar në Gërdec, këtë e kemi marrë vesh pas shpërthimit pasi nuk na ka treguar.
Me profesion jam saldator dhe gjatë punës time disa vjeçare kam njohur vetëm shtetasin Seran Maçi, të cilit ia kam rregulluar makinën, ndërsa, shtetasit Nazmi Isufi, Haxhi Mara dhe Kledian Qefalia, nuk i njoh dhe nuk i kam takuar asnjëherë"-ka thënë babai i Blenardit, duke ngritur dyshime për prokurorinë se deklarimet e djalit të tij, nuk janë të vërteta.
Haxhi Mara: "Kam kërkuar vetë punë në fabrikën e Gërdecit dhe më ka punësuar Dritan Minxholli në korrik të 2007. Ai më caktoi fillimisht si detyrë, hapjen e arkave, punë të cilën e kam kryer për një javë ku më kontrollonte shtetasi me emrin Vangjel (Veiz (Vangjel) Muço).
Me ndërhyrjen e shtetasit Endri Dvorani (i vdekur tashmë), kam kaluar në një pozicion tjetër pune, me numërimin e arkave boshe duke zëvendësuar Veiz Muçon.
Isha prezent në kohën kur ngarkohej makina e Elis Fjollës me kuti baruti nga depoja për tek kontanierët. Rrogën time ma ka caktuar Dritan Minxholli, i cili më ka thënë se pasi kishte folur me Mihal Delijorgjin kishin vendosur të më paguanin 50 mijë lekë të reja, ku kam punuar deri në nëntor 2007 ku më pas jam larguar.
Për rrogën time, unë firmosja në borderonë e "Albademil"-it por nuk e di pse emri im nuk figuron në ato dokumente. Në Gërdec kam njohur shtetasin Seran Maçi, për të cilin kam mësuar se ishte magazinier i MEICO-s. Nazmi Isufajn e njoh por nuk e kam takuar kurrë në Gërdec",-ka thënë Mara ndër të tjera.
Nazmi Isufaj:
Shtetasin Rahman Selmanllari e njoh pasi ai është kunati im dhe me këtë shtetas unë njihem prej vitesh dhe nuk kam dijeni mbi aktivitetin privat që ai ushtron, di që ka një lokal, por unë nuk e di se ku e ka dhe vetë nuk kam qenë asnjëherë. Me Rahmanin kam gati dy vjet që nuk jam takuar dhe të kem komunikuar me telefon.
Me Seran Maçin,njihem prej vitesh, ai është bashkëfshatari im dhe është vëllai i baxhanakut tim, Pasha Macit. Di se ka punuar si magazinier i MEICO në Gërdec. Mihal Delijorgjin, e kam njohur nëpërmjet medias, ku kam mësuar se ai ishte president i firmës në Gërdec.
Me këtë person nuk jam përballur, apo takuar në ndonjë rast dhe nuk kam asnjë lloj lidhjeje.
Po të njëjtën gjë kam për të deklaruar edhe për Dritan Minxollin dhe Ylli Pinarin, të cilët i kam njohur nëpërmjet mediave, pas ngjarjes së Gërdecit, ku për Dritanin kam mësuar se ishte drejtor i firmës në Gërdec, ndërsa për Yllin kam mësuar se ishte drejtor i MEICO.
Shtetasit me emrat Sokol Ngjeci, Endri Osmani, Veiz Muco (Vangjeli) dhe personat me emrat Bernard dhe Klejdi, unë nuk i njoh, nuk di ç'përfaqësojnë ata dhe nuk kam asnjë lloj lidhje me ta. Haxhi Marën e njoh qysh prej vitit 1985.
Nuk jam takuar që prej kohës së ushtrisë. Në lidhje me dy personat e fundit, Ilirjan Maçi dhe Muhamet Hoxha, ju sqaroj se asnjërin nuk e kam njohur më parë dhe nuk kam asnjë lloj lidhjeje me ta
Seran Maçi
Unë jam punësuar me kontratë në ndërmarrjen MEICO, në Qershor të vitit 2007, pas interesimit tim në Gërdec ku kisha dëgjuar se ishin hapur vende pune, për demontim municionesh.
Pasi kam shkuar atje, rastësisht kam takuar shtetasin Ylli Pinari me të cilin kisha pak njohje, dhe i kam thënë se interesohem për punë, i cili më tha për të shkuar tek ndërmarrja të nesërmen .
Më pas unë kam bërë një kërkesë për punësim, në ndërmarrje e cila u aprovua, dhe më thanë se duhet të shkoja në Gërdec, dhe të bëja detyrën e magazinierit, d.m.th të merrja në dorëzim municionet që vinin nga repartet në Gërdec, dhe tua dorëzoja këto municione firmës që ushtronte aktivitetin e demontimit.
Unë kam filluar punë në Gërdec, me datë 14.06.2007, dhe që atë ditë kanë filluar të vijnë municione nga repartet me mjete të ushtrisë të shoqëruara me polici ushtarake dhe magazinierët përkatës.
Në ambientet e repartit Gërdec ato ditë sapo kishte filluar puna dhe nuk kishte shumë punëtorë, ku si Drejtor i kësaj firme kam parë që ishte shtetasi Dritan Minxolli, i cili organizonte punën në fabrikën e demontimit ku ishin të vendosura disa makineri që bënin demontimin e municioneve.
Në repart gjatë kohës që kam punuar unë vinte shpesh dhe shtetasi Mihal Delijorgji për të cilin thoshin se është presidenti i firmës së demontimit.
Unë si magazinier evidentoja me dokumentet përkatëse (fletë hyrje dhe fletë dalje), të gjithë sasitë e municioneve që vinin nga repartet dhe dorëzimin e tyre tek magazinieri i firmës së demontimit, Kastriot Kreci, dhe më pas dërgoja këto dokumente në degën e llogarisë në ndërmarrje një herë në javë.
Në Gërdec, vinin rreth 50 mjete në ditë me municione, në ore të ndryshme më tepër pasdite deri në mesnatë, dhe ditëve të shtuna dhe të diela, ku unë duhet të isha prezent, në çdo kohë që vinin municione aty, megjithëse kisha rrogë bazë 25000 lekë të reja. Aty silleshin municione të kalibrit 7.62 mm, 12.7 dhe 14.5 mm.
Dëshmitari Kledian Qefalia
Kush e paguante "grupin hije"
Pyetje: Si ishte mënyra e pagesës, sa ishte paga juaj dhe nga kush ju është dhënë paga?
Përgjigje: Ju sqaroj se pagesa bëhej në dorë me dollarë amerikane, paga ime ishte 600 $, rreth muajve nëntor, dhjetor dhe janar 2007-2008, paga na u bë 400$ për shkak të uljes së ritmit të furnizimit.
Ju sqaroj se rrogën unë e kam marrë nga shtetasi Seran Maçi, ndërsa gjatë kontratës së dytë me predhat mua në të shumtën e rasteve, rroga më është dhënë nga shtetasi Haxhi Mara, i cili ishte dhe përgjegjësi i grupit që rrinim natën.
Ju sqaroj se unë që prej ditës që kam filluar punë në Gërdec dhe deri ditën që ka ndodhur shpërthimi kam shkuar gjithmonë në punë çdo ditë, po ashtu edhe grupi i personave me të cilët unë kam punuar kanë ardhur në punë çdo ditë, megjithëse punëtorët që merreshin me çmontimin e municioneve ishin larguar, pasi nuk kishte më furnizime.
Pyetje: A keni firmosur në ndonjë bordero për marrjen e pagës dhe a ju ka dhënë pagë në ndonjë rast ndonjë personel i firmës Albademil?
Përgjigje: Unë nuk kam firmosur në asnjë rast në bordero për marrjen e pagës, po ashtu nuk kam marrë pagë nga asnjë personel i firmës Albademil. Me sa kam dëgjuar unë, rrogat tona vinin nga ndërmarrja MEICO, por të saktë nuk di dhe nuk kam pyetur asnjëherë pasi më dukej e sikletshme që të pyesja për gjëra të tilla.