Kërkohej, gjendet në Tiranë duke shitur
Fasho: SHKURT
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka arritur të gjejë dhe sjellë në Elbasan gruan e shpallur të zhdukur nga familja e saj një ditë më parë.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se Luljeta Ruda ishte shpallur në kërkim për largim nga banesa. Gruaja mësohet se është larguar me dëshirën e saj dhe ka shkuar në Tiranë.
Atje ajo ka shitur sendet personale të floririt. Një ditë më parë ajo ishte denoncuar e zhdukur nga djali i saj 15-vjeçar. Ky i fundit kishte deklaruar se si e ëma ishte larguar pa gjurmë nga parukeria ku ai bashkë me të atin e kishin çuar për të rregulluar flokët. Gruaja u largua në 9 maj.
Vjedhin kompjuterin e shkollës, 4 në pranga
DEVOLL- Katër adoleshentë kanë vjedhur kompjuterin e një shkolle 9-vjeçare në rrethin e Devollit, ndërsa janë vënë në pranga vetëm disa orë më pas. Të rinjtë të moshave 14, 16 e 17 vjeç kanë shfrytëzuar një dritare në katin e parë të shkollës "Fuat Babani" për të hyrë. Më pas kanë shkatërruar derën e sekretarisë nga ku kanë marrë kompjuterin.
Vjedhja është denoncuar në orët e para të mëngjesit të së premtes kur ka nisur mësimi. Të gjithë adoleshentët janë banorë të fshatit Baban, ndërsa akuzohen për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim". Ata do të hetohen në gjendje të lirë, teksa kanë pranuar autorësinë e vjedhjes.
Ridënohet për vjedhje 17-vjeçari
SHKODËR - Dënohet për të disatën herë për "vjedhje" 17-vjeçari Kristian Arra, kësaj radhe me 16 muaj burg. Prej katër vitesh adoleshenti është i njohur për policinë e Shkodrës si autor i vjedhjeve të ndryshme. Herën e fundit ai u ndalua më 10 shkurt, pasi kishte vjedhur një lokal.
Mbrojtja ka kërkuar dënimin e Arrës me periudhën e parburgimit duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të familjes së tij, ndërsa adoleshenti ka kërkuar mëshirë.
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Ndërtuesit kërkojnë ndihmë nga shteti
SHKODËR - "Ndërmarrjet tona punojnë aktualisht me 50% - 70% të kapacitetit të tyre, ndërsa jemi ndër furnizuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit përmes detyrimeve që paguajmë". Kjo është pohuar nga Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë, e cila paraditen e së premtes ka zhvilluar një mbledhje të saj në qytetin e Shkodrës.
Ndërtuesit e pranishëm në takim evidentuan faktin se si pasojë e krizës ekonomike, ndërmarrjet e tyre punojnë me thuajse gjysmën e kapacitetit që kanë, ndërsa është kërkuar që të jenë të vetëdijshëm për rolin që luajnë në furnizimin e buxhetit të shtetit, pavarësisht cili krah i politikës e drejton vendin.