Vrasja e policit të burgut, arrestohen 2 vëllezër

Janë ndaluar dy të dyshuarit për vrasjen e policit të burgut 313, ngjarje e ndodhur dje në mëngjes në Tiranë. Policia e kufirit në Kapshticë ka ndaluar Beqir Xheçukën i cili ishte duke kaluar ilegalisht kufirin bashkë me një grup personash.
Sipas hetimeve të para, 38 vjeçari nga Mamurrasi dyshohet si autor i vrasjes se Ymer Hajdarit, për shkak të një konflikti hasmërie mes dy familjeve të tyre. Nën hetim është edhe vëllai i tij, i cili po ashtu është ndaluar nga policia. Dy të dyshuarit do të merren në pyetje nga Policia e Tiranës për të zbardhur nëse kanë apo jo lidhje me krimin.
Ymer Hajdari, 54 vjeçari me origjinë nga Mamurrasi, u qëllua dje në mëngjes me tre plumba ndërsa po shkonte me makinë në punë. Autorët e krimit i kanë bllokuar rrugën duke e detyruar të ndalojë makinën dhe më pas e kanë qëlluar në xhamin e parë të mjetit. Një ditë më parë, policia dhe forcat renea shoqëruan disa persona të cilët u pyetën për ngjarjen dhe për konfliktin e hasmërisë.