E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fytyra që kemi

Kur dhe herë të tjera jam shprehur se niveli etiko-moral i shoqërisë që të gjithë së bashku kemi ndërtuar, është në pikën më të ulët që mund të ketë njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë: pra në të njëjtin nivel me pikën më të ulët të rruzullit tokësor, Detit të Vdekur, kam pasur parasysh jo viktima e fajtorë, por në vërtetë të gjithë. Sepse është shumë më tepër e rëndë për një shoqëri të prodhojë individë të gjithëpushtetshëm në kohë lirie se në diktaturë. Dhe fakti e kronikat tregojnë se ne shqiptarët e 2009 po prodhojmë individë e klane me pushtet të pakufishëm ekonomiko-politik; dhe askush nuk shpëton nga përgjegjësia përballë kësaj. Media psh. Denoncuesja e madhe e shtrembërimeve e deformimeve që pushteti i bën ligjit në favor të tij. Me përjashtime shpresëpakta, faktorët kryesorë mediatikë janë po aq të përlyer sa pushtetarët pa kufi që shoqëria jonë ka prodhuar. Sa të besueshme mund të jenë denoncime apo ulërima mediatike për shkelje Kushtetute, rrezik diktature, të kryera nga tribuna të lindura si korrupsion i mirëfilltë media-politikë? Faktorët kryesorë mediatikë ushqejnë dhe ushqehen nga ata që në të vërtetë duhet të denoncojnë. Çdo tentativë serioze hedhur në tavolinat e lindura për të mbarsur degradimin shtetëror rezulton si përçapje e një të dehuri që tenton të mbajë fjalime serioze. Kështu, lexues e teleshikues prej vitesh vënë buzën në gaz për “denoncimet” në media apo kur lexojnë shkrime plot indinjatë për politikën, turizmin, zhurmat, korrupsionin… Në media qarkullojnë njerëzit e impenjuar: intelektualë, profesionistë, ata që nuk janë indiferentë, sepse një tjetër pjesë e shoqërisë as nuk tenton të impenjohet. Eshtë totalisht e dorëzuar dhe aspak në antagonizëm. Thjesht, si spektatore qesh. Që pas ngjarjes së Gërdecit, shoqëria jonë ka nisur një rrugë pa kthim, ku të gjithë pa përjashtim: të pasur e të varfër, të mençur e budallenj, të pushtetshëm e të pafuqi, të talentuar e patalent, të mëdhenj e të vegjël janë viktimë e një çorbe të gatuar keq. Nga ne. Nuk ka gjë që mund të ndreqë situatën që është krijuar; pesë pushtetet janë seriozisht të dëmtuar dhe ngjarjet edhe më tragjike treten pa nxjerrë asgjë në dritë. Çfarë pamje ka realiteti ynë sot? Tamam atë të një spikereje lajmesh që lexon lajme të rreme me fytyrë plot operacione estetike të bëra keq. Shumë keq. Çfarë mund të bëhet? T’u themi fëmijëve tanë: Na falni nuk ditëm të bëjmë Shtet.

albamalltezi@hotmail.com

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›