Librazhd, gjahtarët vrasin në mal 22-vjeçarin, dyshuan se ishte ari
• LIBRAZHD - Teki Albrahimi gjeti vdekjen mesditën e djeshme, teksa kthehej për në shtëpinë e tij, në fshatin Orenjë të Librazhdit.Djaloshi ka rënë “pre” e tre gjahtarëve, bashkëfshatarë të tij, të cilët kishin dalë për të gjuajtur në malin Mezicë. Rreth orës 14:00, Xhevair, Altin dhe Shkëlqim Alcani ishin ulur buzë një lëndine për të ngrënë drekë, pasi kishin bërë gjueti gjatë gjithë paradites. Ata kishin nisur të drekonin kur kanë dëgjuar disa zhurma që vinin nga një gëmushë e madhe, që ndodhej afër tyre. Në heshtje tre gjahtarët janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të vendit nga vinin zhurmat sepse kanë kujtuar se bëhej fjalë për ndonjë ari. Pasi kanë shtënë plot 15 herë, zhurma ka pushuar dhe gjahtarët i janë afruar vendit në drejtim të cilit kishin qëlluar. Vetëm kur janë afruar kanë mundur të shihnin se “gjaku” i tyre, ishte 22-vjeçari Albrahimi. Mësohet se i riu ishte duke shkuar në drejtim të shtëpisë së tij, që ndodhej afër vendit ku ndodhi ngjarja. Menjëherë tre gjahtarët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë të riut, por pa sukses. Ka qenë e pamundur të shpëtohej jeta e djaloshit, pasi vendi në të cilin ndodheshin tre autorët e vrasjes bashkë me viktimën, ishte shumë larg me zonën e banuar ku ndodhet spitali më i afërt. Më pas, ata kanë telefonuar policisë dhe bashkë me trupin e pajetë të 22-vjeçarit kanë përshkruar disa qindra metra për të mbërritur në rrugën automobilistike. Pas sinjalizimit, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Librazhdit, e cila pasi ka bërë verifikimin e vendit të ngjarjes, kanë dërguar për në morgun e spitalit viktimën. Tre gjahtarët janë arrestuar në komisariatin e policisë Librazhd, ku janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Nga deklarimet e para mësohet që vrasja të ketë qenë aksidentale, megjithëse është duke u punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndaj tre gjahtarëve, është prerë urdhri i arrestit, çka do t’i mbajë të tre personat nga e njëjta familje në qeli deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur. a.kKRIMI AKSIDENTALPolicia e ka konsideruar fillimisht si aksidentale ngjarjen e ndodhur dje në malet e Librazhdit. Megjithatë grupi i hetimit është duke i marrë në pyetje me hollësi tre gjahtarët, për të kuptuar nëse ata kishin verifikuar mirë objektivin e të shtënave pasi të qëllonin me armë zjarri në drejtim të viktimës.