Për një shikim, marrin peng 23-vjeçarin
LEZHE – Një shikim drejt kolegut të tij të punës i ka kushtuar shtrenjtë një 27-vjeçari nga Lezha. Ngjarja, që përfundoi me një të plagosur rëndë dhe me tre të arrestuat, ndodhi mbrëmjen e së premtes pranë fabrikës së letrës në Lezhë. Burime zyrtare të policisë së këtij qyteti bënë të ditur se, rreth orës 21:30 Jak Nika, 40 vjeç po punonte në këtë fabrikë në të njëjtin ambient me Vlad Seferajn, 28 vjeç, kur i riu ka hedhur disa shikime drejt Nikës. Duke i cilësuar provokuese Nikaj ka filluar të debatojë ashpër me të riun. Pasi kanë shkëmbyer fjalë ofenduese 40- vjeçari ka shkuar në shtëpinë e tij në Lezhë dhe është kthyer sërish me dy nipërit e tij, Fatjon dhe Edinjo Nikaj, 22 dhe 25 vjeç, me një makinë tip “Ëolksvagen” dhe kanë ndaluar para fabrikës. Pasi janë takuar me Seferajn ata e kanë rrahur atë barbarisht, duke e qëlluar me mjete të forta. Në përfundim trupin e gjakosur të të riut e kanë futur në bagazhin e makinës së tyre dhe kanë tentuar të largoheshin me shpejtësi. Ka qenë ndërhyrja e shpejtë e policisë së Lezhës e mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, që ka bllokuar makinën vetëm 100 metra larg fabrikës së letrës. Tre agresorët janë arrestuar në flagrancë, ndërsa Seferaj është nxjerrë nga bagazhi dhe është dërguar menjëherë në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Lezhës, ku vazhdon të kurohet. Ndaj tre të arrestuarve rëndon akuza e “heqje e lirisë së personit dhe plagosje të rëndë me mjete të forta”. r.n