Demonstruesi i filmuar me armë, 10 muaj burg
Gjykata e Tiranës dënoi njërin prej demonstruesve më aktivë të 21 Janarit, Gjin Ndreun, pasi ky i fundit shprehu pendesë dhe kërkoi mëshirë
Tiranë Gjykata e Tiranës dënoi dje me 10 muaj heqje lirie një nga personazhet e njohura në radhët e demonstruesve të 21 Janarit. Gjin Ndreu, i arrestuar dhe më pas i liruar nga gjykata, pasi nuk u arrit të provohej se arma e fiksuar nga kamerat e policisë ishte e tillë, u vu sërish në pranga pak ditë pas demonstratës së 21 Janarit. Për të dyja akuzat e ngritura nga prokuroria, Ndreu është dënuar ditën e djeshme me 15 muaj heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ka përfituar uljen e një të tretës së dënimit. Sipas vendimit të Gjykatës, Gjin Ndreu i cili është evidentuar si një nga demonstruesit më aktivë gjatë protestës së 21 Janarit akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”. Gjykata tha se për të dyja akuzat, i pandehuri Gjin Ndreu dënohet me 15 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënohet përfundimisht me 10 muaj heqje lirie. Vetë i pandehuri, i pranishëm në sallën e gjyqit, kërkoi mëshirë dhe shprehu pendesë të thellë për atë që kishte kryer. Me dënimin e marrë ditën e djeshme, Ndreu duhet të qëndrojë edhe për të paktën një muaj në qeli, pasi pjesën tjetër të dënimit e ka vuajtur gjatë kohës që ka qëndruar në paraburgim. Fillimisht Gjin Ndreu u arrestua nga policia për demonstratën e 21 Janarit, ku filmimet tregonin se teksa ngjitej në pjesën e oborrit të Kryeministrisë, ai ishte i armatosur me një pistoletë që dyshohet se e mbante pa leje. Por gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit, Ndreu dhe avokati i tij mbrojtës pretenduan se sendi që është evidentuar nga pamjet filmike nuk është armë, por çadra të cilën i arrestuari e kishte futur në brez. Alibia e tij duket se u mor për bazë nga gjykata, pasi arma e pretenduar nga policia dhe prokuroria nuk u gjend asnjëherë. Vetëm pak ditë më vonë, Gjin Ndreu u arrestua sërish nga policia, pasi një nga patrullat denoncoi se janë kundërshtuar me dhunë nga i arrestuari. Që prej shkurtit të këtij viti, Gjin Ndreu ndodhet në qeli për akuzat: “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”. Vendimi i djeshëm i gjykatës shënon vendimin e pestë për dënimin e demonstruesve të 21 Janarit, të cilët kanë goditur apo kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë që ndodheshin me shërbim te Kryeministria.