E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba në Durrës, plagosen tre vetë

 DURRES- Tre persona mbetën të plagosur me armë mbrëmë në Durrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në një Tavernë- Piceri në lagjen  nr. 13 në plazhin e Durrësit. Sipas policisë, të plagosurit janë Abdullah Osmani, 52 vjeç, Leonard Naska 55 vjeç si dhe shtetasi azerbajxhanas Turrall Maksut Odh, 29 vjeç. Burimet bënë të ditur se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shënjestra ka qenë vetëm shtetasi i huaj, ndërsa dy të plagosurit e tjerë, banorë të lagjes, ku ndodhi ngjarja kanë qenë kalimtarë të rastit. Të njëjtat burime bënë të ditur se 29 -vjeçari është pronar i tavernës ku ndodhi ngjarja, ndonëse ai prej disa kohësh ia kishte dhënë atë me qira një shtetasi tjetër italian. Ende nuk dihet motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila pason atë të ndodhur pak ditë më parë ku në një nga lokalet e Durrësit u vranë tre persona. Mësohet se i riu ka qenë në shoqërinë e disa shokëve të tij në lokal, ndërsa autori i ulur në një nga tavolinat ngjitur bashkë me disa persona të tjerë. Ai e ka ndjekur 29 -vjeçarin në momentin që ka dalë jashtë dhe e ka qëlluar me armë zjarri pistoletë. Plumbat kanë lënë të plagosur edhe dy kalimtarët Osmani dhe Naska. Klientët që ndodheshin në lokal janë tronditur kur kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë dalë menjëherë jashtë. Ata kanë parë tre personat e gjakosur që kishin nevojë për ndihmë. Menjëherë të plagosurit u dërguan në spitalin e Durrësit. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Pas deponimeve të dëshmitarëve, ata identifikuan autorin e plagosjeve, i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, të tre personat janë qëlluar nga e njëjta armë, duke përjashtuar kështu mundësinë e bashkëpunëtorëve. Në vend u gjetën 5 gëzhoja të cilat i kaluan laboratorit kriminalistik për ekzaminime të mëtejshme. Mësohet se dy durrsakët e plagosur ndodhen në spitalin e qytetit, ndërsa azerbajxhanasi u nis me urgjencë në spitalin ushtarak për shkak se kishte marrë një plagë të rëndë në bark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›