Vrasja në Kurbin, policia “ngulet” për të shmangur hakmarrjen
Forca të shumta policie në funeralin e 34-vjeçarit, për të shmangur hakmarrjen mes fiseve. Familja e autorit braktis shtëpinë. I dyshuari ende në kërkim
Akoma asnjë i arrestuar për vrasjen e Kastriot Brozit, në fshatin Skuraj të Kurbinit, ndërkohë që policia është detyruar të vendoset në fshat për të shmangur gjakderdhjen nga një hakmarrje e mundshme. Burime pranë saj thanë se vazhdonin kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e autorit të identifikuar si Elton Kola.
Frika për hakmarrje
Në fshatin Skuraj, ndërsa po zhvillohej ceremonia mortore e Kastrit Brozit, forca të shumta police kanë qëndruar në fshat, pasi edhe banesa e Elton Kolës, autorit të dyshuar të vrasjes, është në të njëjtën lagje dhe dy familjet janë afër njëra-tjetrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, mësohet se familja Kola është larguar nga banesa, për të shmangur edhe ndonjë hakmarrje të mundshme, ndërsa prezenca e forcave të rendit tenton të garantojë që nuk do të ketë një reagim nga palët.
Hetimet
Ndërkohë nga të dhënat e ekspertizës mjeko-ligjore mësohet se viktimën Kastriot Brozi e kanë kapur tre plumba, një në këmbë dhe dy në brinjë, të cilat i kanë kushtuar edhe jetën. Në një kohë që në vendin e ngjarjes policia ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë si provë edhe 20 gëzhoja të shtëna nga e njëjta armë, e cila dyshohet se ka vrarë Brozin. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, mësohet se për gjetjen dhe arrestimin e Elton Kolës po përdoren të gjitha mjetet. Ndërsa janë pyetur në polici familjarët e tij dhe ata janë shprehur se nuk kishin dijeni për një veprim të tillë nga djali i tyre dhe as për ndonjë konflikt mes tij dhe viktimës.
Ngjarja
Vrasja ka ndodhur në orën 18:00 të ditës së mërkurë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se viktima po kthehej nga puna, pasi kishte qenë në mal duke prerë dru për ngrohje. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ai ka qenë i vetëm në momentin e krimit dhe sapo është futur në oborrin e banesës së tij, vetëm katër metra lag shtëpisë është qëlluar me breshëri automatike që i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ndërsa nga banesa kanë dalë të trembur familjarët e tij, që nuk kanë mundur ta ndihmojnë të afërmin e tyre. Autori i krimit ka mundur të largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes, pasi ka përfituar nga errësira. Policia edhe pse ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrjet dhe daljet e fshatit Skuraj, nuk ka mundur të arrestojë autorin, i cili duke qenë errësirë dhe duke njohur mjaft mirë zonën, duket ia ka dalë të arratiset pa rënë në pengesat e policisë, ndërsa vazhdon të jetë në arrati.