Vrasja e trefishtë në Lezhë, jepen të tjera detaje

Autori i ngjarjes së rëndë së ndodhur dy ditë më parë në Binisht të Lezhës vijon të jetë i lirë edhe pse policia ka vënë në dispozicion 10 milion lekë për çdo person që jep informacione për vendodhjen e autorit të vrasjes së trefishtë. E ndërsa policia vijon kërkimet për autorin e ngjarjes i cili është identifikuar si Kastriot Zhuba, fakte të reja dalin në drite lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Sipas policisë Zhuba është një person me precedent penal, ai ka qenë i dënuar më parë në Greqi ku dhe ka vuajtur dënimin me disa vite burg, dënim të cilin e ka përfunduar.
Dyshohet se krimi i trefishtë ka ndodhur pas një tjetër krim të mbetur në tentativë nga Kastriot Zhuba, i cili ishte kthyer nga Italia për të marrë hak ndaj një 30-vjeçari i cili kishte rrahur para pak kohësh babain e autorit të krimit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Kastriot Zhuba kishte marrë një armë dhe ishte vënë në pritje për të qëlluar ndaj Skënder Sallakun 30 vjeç banor i Blinishtit, personi i cili kishte patur konflikt me babain e tij. Pasi kishte mësuar kthimin nga Italia të Zhubës, 30-vjeçari Skënder Sallaku i druhej hakmarrjes dhe për këtë qëllim ruhej ndërsa nuk qëndronte asnjë rast jashtë në orët e natës.
Kastriot Zhuba ishte vendosur para shtëpisë së Sallakut dhe në një moment ka tentuar të kalojë murin, por është përballur me plumbat e armës që mbahej nga 30-vjeçari, ku ka patur edhe shkëmbim zjarri mes tyre. Pasi nuk ka mundur të vrasë dhunuesin e babait të tij, Kastriot Zhuba është tërhequr dhe ka konsumuar alkol në një lokal në fshatin e tij, duke menduar për veprimet e radhës.
Pasi ka konsumuar një sasi alkoli, Zhuba është drejtuar për tek makina e tij që ndodhej para lokalit, por në momentin e nisjes ka goditur 24-vjeçarin Fatjon Shtjefni. Ky i fundit i ka kërkuar shpjegime për atë çfarë ndodhi, por është gjendur nën kërcënimet e Zhubës, i cili e ka goditur sërish me pjesën e pasme të makinës pas largimit drejt shtëpisë. Pas debatit mes tyre, 24-vjeçari Fatjon Shtjefni është drejtuar tek prindërit e tij, dhe sëbashku me ta i janë drejtuar banesës së Zhubës. Kur janë ndodhur në hyrje të oborrit, 24-vjeçari i ka kërkuar debatuesit të tij të dalë jashtë, ndërsa 54-vjeçari Rrok Shtjefni mbante me vete edhe një pistoletë.
Në këtë moment, Kastriot Zhuba ka dalë nga pjesa e pasme e shtëpisë sëbashku me një armë zjarri automatik dhe ka qëlluar menjëherë në drejtim të Fatjonit duke e lënë të vdekur në vend. Pasi ka parë djalin ti vritej, Rrok Shtjefni ka tentuar të kundërpërgjigjet me armën e tij, por nuk ka mundur.