Vrasja në Gjermani,e lajmëruar në internet

"Nuk mundem më të vazhdoj me këtë jetë të shpifur, është gjithnjë e njëjta gjë. Të gjithë tallen me mua dhe askush nuk i vlerëson aftësitë e mia. Tani kam armët. Nesër do të shkoj në ish-shkollën time dhe do t'i zhduk të gjithë. Do të dëgjoni të flitet për mua. Do ta kujtoni gjatë Vinendenin". Ky është teksti që 17 vjeçari Tim Kreshmer, autori i tragjedisë të së mërkurës, i ka dërguar me anë të një bisede në internet një djali nga Bavaria, pak orë para se të kryente masakrën. Një gjë e tillë u bë e ditur nga Ministria e Brendshme e vendit. I riu që ka marrë mesazhin në orën 02 e 44 minuta të mëngjesit nuk e ka marrë seriozisht një gjë të tillë, por është kujtuar një ditë më pas, kur mësoi lajmin për tragjedinë. Policia gjermane ka njoftuar se vrasësi ka qëlluar plot 60 herë në shkollë dhe 52 herë të tjera gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, pak para se të vriste veten. Ai kishte me vete edhe 109 fishekë të tjerë, të cilat i kishte marrë në kasafortën e shtëpisë së tij, ku i ati mbante edhe 14 armë të tjera zjarri. Sipas policisë, djali e dinte kombinimin tetë shifror të kasafortës. Policia ka lajmëruar se i riu dinte të qëllonte dhe e shoqëronte shpesh të atin në poligonin e qitjes. Mësohet se Kreshmer kishte ndërprerë trajtimin psikiatrik që e vazhdonte që nga viti 2008. Teksa mësohet se ndërmjet nxënësve të vrarë në Shtutgard, është edhe një nxënës shqiptar nga Kosova. Njoftimi është konfirmuar për Radio Kosovën nga drejtoresha e Policisë Gjermane, Renate Roesh. Ndërkohë, në Suedi është ndaluar një tjetër 17 vjeçar i dyshuar se donte të imitonte masakrën e Vinendenit në Gjermani. Sipas një zëdhënësi të policisë vendase, i riu është arrestuar të enjten në mëngjes, pasi kishte publikuar në internet një foto me armë në dorë, ku jepte mesazhe kërcënuese ndaj shkollës së tij.