E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Himarë, PS dhe MB akuza e kundërakuza

“Qeveria ka humbur tërësisht kontrollin mbi territorin duke i lënë terren krimit rrugaçërisë, është dorëzuar para vrasësve dhe rrugaçëve gjithfarësh! Denoncojmë me ashpërsi këtë situatë dhe kërkojmë drejtësi të shpejtë, efektive, të bazuar mbi fakte e prova!”, u shpreh deputetja Ermonela Felaj të shtunën.

Më vonë, për këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Brendshme, e cila dënoi sipas saj përpjekjen e Partisë Socialiste për të përdorur politikisht ngjarjen kriminale të ndodhur në Himarë. “Edhe për këtë ngjarje, lidershipi i Partisë Socialiste nuk vonoi të vërtetojë para opinionit publik se në krye të axhendës së tij politike qëndrojnë interesa që bien ndesh me interesat e qytetarëve dhe godasin drejtpërdrejt imazhin e vendit”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmi Konja.

Ai shtoi më tej se Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga frymëzimi i qëndrimeve antirend dhe antiligj dhe të shprehë mbështetjen e nevojshme për punën dhe angazhimin profesional dhe ligjor të Policisë së Shtetit.

“Ministria e Brendshme vlerëson të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e treguar nga Policia e Shtetit për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes kriminale që ndodhi para dy ditësh në Himarë dhe i jep mbështetjen e plotë për të vënë para drejtësisë të gjithë autorët e përfshirë në këtë ngjarje”, përfundon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›