Frikë dhe nga virozat e stinës,200 fëmijë në ditë tek pediatria
Alarmi për gripin e derrave ka frikësuar jo pak prindërit që çojnë fëmijët në spital me viroza të stinës. Shenjat janë thuajse të njëjta, por mjekët bëjnë apel se nuk ka vend për panik. Ata sakaq pranojnë se çdo ditë marrin trajtim mjekësor 200 të vegjël. “Këto ditë fluksi ka qenë i lartë për shkak të vapës, por duhet theksuar që kjo situatë përsëritet çdo verë. Kemi vënë re që prindërit janë mjaft të shqetësuar, pasi mendojnë se fëmijët e tyre mund të jenë prekur nga gripi i derrave. Por virozat nuk kanë fare lidhje me këtë sëmundje”, sqarojnë bluzat e bardha të shërbimit të urgjencës. Sipas tyre, fëmijët 0-3 vjeç janë më të predispozuarit për tu prekur prej virozëve. Diarre, temperaturë e lartë dhe të vjella janë simptomat virale, të cilat shfaqin pjesa më e madhe e tyre. Vapa e madhe është shkaktari kryesor i çrregullimit të aparatit tretës te fëmijët, që manifestohet me këto shenja. Kryesisht numrin më të madh të vizitave e zënë fëmijët nga periferia e Tiranës dhe zonat rurale ku, sipas mjekëve, edhe higjiena nuk është në nivele normale. Këshilla kryesore për prindërit është kujdesi me temperaturën e ambientit, por edhe kontakti i menjëhershëm me specialistët për të evituar komplikacionet. Për fëmijët deri në 1 vjeç nuk rekomandohet heqja nga gjiri i nënës dhe gjithashtu për ata që i përkasin moshës mbi 1 vjeç shtimi i sasisë së ushqimit. Sipas mjekëve rekomandohet konsumimi i sa më shumë lëngje frutash dhe zarzavatesh për të shmangur dehidratimin e trupit. Një tjetër shkak i shfaqjes së infeksionit te fëmijët është edhe uji i infektuar, i cili u shkakton probleme në tretje jo vetëm fëmijëve, por edhe të rriturve. “Gjithashtu, duhet të shmanget edhe ekspozimi i fëmijëve për një kohë të gjatë në diell, pasi kjo do të sillte pasoja për shëndetin e tyre”, thonë mjekët pediatër. Për të gjithë fëmijët duhet të eliminohet qëndrimi në diell nga ora 10:00 deri në 16:00 pasdite.