E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat pa maska e doreza,mungojnë kontrollet për emigranët

 

Më shumë se 4000 emigrantë kanë ardhur në Shqipëri në 24 orët e fundit nga pika e kalimit të Kapshticës. Veç tyre, rreth 1200 të tjerë kanë kaluar nga kjo pikë drejt shtetit grek. Por ajo që duket qartë është mungesa e kontrolleve për gripin e derrit, që në shtetin fqinj ka shënuar një numër të lartë të prekurish. Madje vetëm përpara disa ditësh u deklarua gjendja e pandemisë. Sipas informacioneve të fundit, as në doganën greke dhe as në atë shqiptare, punonjësit nuk kanë asnjë masë mbrojtëse. Pjesa më e madhe e emigrantëve kanë pohuar se nuk i ka pyetur askush nëse kanë apo jo shenja të gripit. “Vetëm na kontrolluan pasaportat dhe kaluam. Asnjë formular nuk plotësuam dhe asnjë mjek nuk na vizitoi”, u shprehën disa emigrantë menjëherë, pasi kaluan në Kapshticë. Me këto dëshmi, urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë duket se nuk zbatohet. Edhe në Rinas kontrollet janë thuajse rutinë dhe nuk ka ndonjë vigjilencë nga strukturat përkatëse. Risku më i lartë i importimit të virusit mbetet maksimal, pikërisht nga këto pika kufitare. Kontrollet e mirëfillta do të minimizonin mundësinë e futjes së tij te ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›