E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat në rrezik, largohen 6 familje

 

GJIROKASTER - Frika nga shembja detyron 6 familje të braktisin banesën e gurtë. Koha e keqe e ditëve që kaluan në qytetin e Gjirokastrës, ka shkaktuar probleme tek ato banesa të gurta etiketuara nga specialistët e ndërtimit dhe të monumenteve me rrezik shembjeje. Si pasojë e dëmtimit, familjet që jetonin në të e kanë braktisur nga frika e shembjes së mureve të gurta. Bëhet fjalë për godinën e gurtë që njihet si banesa e Karagjozatëve, fare pranë Pazarit Karakteristik të qytetit. Prej vitesh në mjediset e kësaj shtëpie jetonin 6 familje të pastreha. Si shkak i amortizimit dhe mungesës së investimeve, shtëpia ka ardhur duke u degraduar dhe shembur vazhdimisht, çka ka bërë që banorët e saj për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë të largohen njëri pas tjetrit. Më problematike është bërë situata pas reshjeve, të cilat shembën plotësisht çatinë e gurtë të kësaj shtëpie. “Çatia, trarët dhe tavanet e katit të tretë janë shembur plotësisht, duke i nxjerrë dhomat dhe mjediset e tjera jashtë funksionit”, shprehet për gazetën Tahir Luke, njëri prej pjesëtarëve të familjes së fundit, e cila vazhdon të jetojë në këtë shtëpi. Sipas tij, vitin e kaluar u dëmtua njëri prej mureve mbajtës. Pasi godina u shpall “Rrezik shembjeje”, muri i gurtë u përforcua me trarë. Ndërkohë, si shkak i motit të keq dhe shirave të vazhdueshëm plasaritjet në muret e banesës kanë ardhur duke u shtuar. Ato kanë ravijëzuar harta të frikshme përgjatë sipërfaqeve të mureve të shtëpisë. “Aktualisht, në ditët e dimrit shiu që bie jashtë hyn i tëri në banesën e gurtë”, thotë pjesëtari i familjes Luke, ndërsa tregon njollat e lagështisë në muret e banesës së gurtë. Disa herë edhe kjo familje ka marrë vendimin për t’u larguar nga shtëpia “Rrezik shembjeje”, por në pamundësi për të siguruar një shtëpi normale pjesëtarët e saj vazhdojnë të jetojnë në banesën gjysmë të shembur.                               p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›