E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dardhë, dështon për herë të katërt pista e skive

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Prej katër vjetësh zvarritet ndërtimi i skipistës në Dardhë të Korçës, një investim i qeverisë zvicerane. Së fundi, u premtua se do të fillonte ndërtimi i saj në qershor të këtij viti, por edhe nëntori po kalon e asnjë hap nuk është hedhur në këtë drejtim. Amatorët e skive, shoqata e turizmit në shkallë qarku, por veçanërisht banorët dhe bizneset dardhare janë të shqetësuar për fillimin e ndërtimeve të saj, mbasi në këtë zonë malore mund të punohej e ndërtohej maksimumi deri në fund të tetorit. Tani kanë nisur reshje shiu dhe pritet që të bjerë edhe dëborë, çka mbyll çdo përpjekje për të ndërtuar. Ndërtimi i skipistës moderne në Dardhë të Korçës është deklaruar se do të realizohet me investim të qeverisë austriake dhe për këtë është nënshkruar edhe një marrëveshje afro pesë vjet më parë. Procedurat dokumentare kanë qenë të gjata dhe u arrit që një komision me përfaqësi të 4 ministrive të plotësonte të gjitha kërkesat dokumentare të këtij investimi. Në bazë të marrëveshjes qeveria shqiptare kishte detyrim që të paguante 10 për qind të shumës së investimit. Sipas kryetarit të Shoqatës së Turizmit në qarkun e Korçës, Niko Balli këtu është bllokuar fillimi i ndërtimit të skipistës. I pyetur rreth zvarritjeve të ndërtimit të saj, kryetari i Këshillit të Qarkut të Korçës, Ilia Milo deklaron: “Prej shumë kohësh Këshilli i Qarkut ka bërë miratimin e projektit të këtij ndërtimi. Është rënë dakord që Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve të kryejë një pagesë. Me likuidimin e saj fillon puna për ndërtimin e skipistës”. Po stina optimale për këtë ndërtim kaloi, ndaj ditët e fundit ka reaguar kryetari i Shoqatës së Turizmit në Qarkun e Korçës, Niko Balli: “Ka dy vjet që është bërë piketimi i skipistës nga Ministria e Mbrojtjes dhe prej po kaq kohësh edhe Kryeministri Berisha ka urdhëruar që të fillojë puna për ndërtimin e saj. Por pengesë rezulton se është bërë mosderdhja e fondit prej 10 për qind të vlerës së investimit nga Ministria e Kulturës. Firma “Strabak”, e cila është firma ndërtuese që ka filluar tenderin, pret që të derdhet fondi e të fillojë punë. Banorët e Dardhës dhe shoqatat e turizmit e alpinistëve në Qarkun e Korçës mendojnë se ndërtimi i këtij objekti është marrë peng nga Ministria e Kulturës”. Ndërkohë, mësohet se kanë avancuar ndërtimet e rrugës që lidh fshatin Dardhë me pistën e skipistës, me një gjatësi prej 650 metra. Ajo fillon në dalje të fshatit Dardhë dhe arrin deri tek pista e skipistës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›