Grisin banderolën e Topallit, shoqërohen në polici
TIRANË - Në Tiranë shënohet një tjetër incident i fushatës zgjedhore, këtë radhë midis Partisë Demokratike dhe Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës.
Incidenti ndodhi dje rreth orës 10 të paradites, ku tre punonjës të gjelbërimit kanë grisur një banderolë të Partisë Demokratike në rrugën "Llazi Miho", në Kombinat, që njoftonte një takim të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me simpatizantë të zonës së Kombinatit.
Veprimi i punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës ka irrituar drejtuesit e seksionit të Partisë Demokratike të Kombinatit, të cilët kanë kryer një kallëzim penal në Komisariatin Nr. 6 për tre punonjësit e bashkisë.
Efektivat e policisë së kryeqytetit kanë shoqëruar të tre punonjësit e gjelbërimit për të sqaruar arsyet pse kanë vendosur të heqin njoftimin elektoral. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit pohojnë se tre punonjësit e shoqëruar kanë deklaruar në polici se janë urdhëruar për heqjen e banderolës, nga drejtuesit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit.
Po sipas policisë, gjatë veprimit të punonjësve të gjelbërimit, kanë qenë prezentë edhe punonjës të Policisë Bashkiake. Pas incidentit të djeshëm, policia e Qarkut Tiranë u bën thirrje të gjithë subjekteve politike dhe njësive të qeverisë vendore që të respektojnë nenin 79 të Kodit Zgjedhor, për vendosjen e materialeve propagandistike.
Sipas nenit 79/3 të Kodit Zgjedhor, vendosja e materialeve propagandistikë jashtë vendeve publike të autorizuara, sjell heqjen e tyre nga organet e qeverisjes vendore. Në bazë të ligjit zgjedhor, i takon kryetarit të bashkisë apo komunës të përcaktojë vendet publike të vendosjes së posterave elektorale.