E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunimi i varreve të rilindësve, nis hetimi

GJIROKASTËR Pas denoncimit të bërë nga disa shoqata atdhetare në lidhje me dhunimin e përsëritur të Memorialit të Rilindësve në qytetin e Gjirokastrës, kanë reaguar organet e drejtësisë. Sipas përfaqësuesve të policisë lokale, efektivat blu në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit kanë nisur çështjen penale në lidhje me këtë ngjarje. “Aktualisht, ne kemi identifikuar tre persona si autorët e dyshuar të thyerjes dhe dëmtimeve të varreve të pesë rilindësve, pjesë e memorialit të gurtë në qytetin e Gjirokastrës”, - thonë burimet policore. Edhe pse u restaurua përpara disa muajsh, sërish Memoriali i Rilindësve në qytetin e Gjirokastrës vazhdon të jetë objekt i dëmtimeve të vazhdueshme. Edhe pas zbatimit nga Bashkia e qytetit të një projekti për mirëmbajtjen e tij, sërish varret e rilindësve dhe patriotëve gjirokastritë janë dëmtuar. Aktualisht janë thyer pllakat e varreve të vëllezërve Bajo dhe Çerçiz Topulli dhe atdhetarit Koto Hoxhi, ndërkohë që janë dëmtuar edhe varret e patriotëve Andon Zako Çajupi dhe Pandeli Sotiri. Në një apel drejtuar opinionit publik, përfaqësues të “Forumi djemtë e Gjirokastrës” dhe Shoqatës së Tifozëve Kuqezi kanë denoncuar gjendjen në të cilën ndodhet ky memorial, duke e cilësuar të qëllimshëm dëmtimin e tij. “Ne çojmë zërin për respektimin e heronjve të kombit, që kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare shqiptare”, - pohohet në deklaratën e përfaqësuesve të shoqatave atdhetare. Hetimi i nisur nga policia e Gjirokastrës synon të frenojë aktet barbare të dhunimit të varreve të patriotëve gjirokastritë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›